Home LIFESTYLE Zyrtare: Shkëndija përforcohet me dy mbrojtës të ri

Shkëndija sjell dy përforcime në repartin e defanziv, duke kompletuar ekipin me të rikthyerin Sedat Berisha dhe brazilianin Carlinho Rech.

Shkëndija zyrtarizon mbrojtësin brazilian Rech dhe shkupjanin Berisha si përforcime për repartin defanziv. Carlinho Rech është bashkuar me ekipin prej javës së kaluar, ndërsa ka firmosur kontratë për 6 muaj, me opsion vazhdimi të bashkëpunimit për dy vite. Ndërkohë Sedat Berisha dy muaj më parë pikërisht nga rradhët e Shkëndijës u transferua në Bursasport të Turqisë, mirëpo ditë më parë ndërpreu kontratën si pasojë e konkurencës së madhe dhe ‘kuqezinjtë’ e rikthejnë në ekip me kontratë 1+1.

“Së pari dua të falënderoj kryesinë e klubit të cilët patën besim në mua. Ambiciet e klubit janë të mëdha në dy fronte, të fitojmë këtë vit edhe Kupën e kampionatin. Shpresoj që këtë vit t’ia dalim në bazë të kushteve dhe ambicieve për një Shkëndijë Evropiane. Më vjen mirë që jam rikthyer në shtëpinë time, jam në një ambient të njohur dhe për mua kjo nuk është eksperiencë e re“, deklaroi Sedat Berisha.

“Jam shumë i lumtur, pasi kjo do të jetë eksperienca ime e parë jashta Brazilit. Për mua është gjithçka e re, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Më ka bërë përshtypje klubi, struktura që ndërtohet këtu dhe gjithë kushtet për futbollistët. Pres të kontribuoj për klubin në rrugëtimin e vet, pasi kërkohen tituj. Për mua është shumë e rëndësishme që të gjithë në klub kërkojnë tituj dhe Shkëndija në bazë të strukturës dhe historisë që ka duhet të synojë gjithmonë titujt dhe unë shpresoj të kontribuoj për këtë. E dij që kemi ekip shumë të mirë, unë pres të jem një më shumë dhe kështu të realizojmë objektivat e klubit dhe gjithashtu të mijat”, u shpreh braziliani Carlinho Rech.

28 vjeçari sezonin e fundit ka luajtur për Botafogon në kategorinë e dytë të futbollit brazilian, ndërsa paraprakisht është paraqitur me Brusque FC SC, S.E.R.C Gauarani SC, Imperatriz MA, SE Colatina ES, Sampaio Correia MA, Remo PA dhe Icasa CE. Ndërkohë Berisha është i njohur për opinionin vendor, për herë të tretë vesh fanellën e Shkëndijës, me të cilën vitin 2011 fitoi kampionatin dhe Super Kupën, ndërsa ka luajtur edhe për Shkupin (ish-Slloga), Milanon e Kumanovës dhe Metalurgun.