Home LAJME Zona Shengen me rregulla të reja, kontrolle të rrepta të pasagjerëve

epa04505610 A view of Schengen's sign in the village of Schengen, Luxembourg, 14 October 2014.  EPA/NICOLAS BOUVY

Në kufijtë e BE-së do të aplikohen rregulla të reja të zonës Shengen, që përfshijnë kontrollin e pasagjerëve, për të mbrojtur BE-në nga terrorizmi.

Rregulli i ri i detyron shtetet anëtare të Shengenit që sapo kalohet një kufi i jashtëm i Shengenit, t’i krahasojnë të dhënat që kanë me listat e personave në kërkim. Të dhënat e personave që hyjnë e dalin do të krahasohen edhe me listën e dokumentave të humbura apo të vjedhura. Ky ashpërsim i kontrolleve për kufijtë e jashtëm të Shengenit hyn në fuqi që të premten e sotme.

Prej sot 7 Prill, shtetasit e vendeve të tjera dhe qytetarët e BE-së do të kontrollohen tërësisht në kufi, rregulla është parashikuar se do të shkaktojë pritje të gjata dhe trauma për udhëtarët.

I detyrueshëm që prej këtij momenti do të jetë verifikimi sistematik i të gjithë personave që hyjnë e dalin, pra edhe i shtetasve të Bashkimit Evropian, vendet e të cilave bëjnë pjesë në hapësirën e Shengenit. Këtë e bëri të ditur Policia Federale Gjermane. Në rastin e Gjermanisë, e cila nuk ka në kufi shtete që nuk janë anëtare të Shengenit, kontrollet do të bëhen në aeroporte dhe në portet detare.

E gjithë kjo mundësohet pas një ndryshimi të Kodit Kufitar të Shengenit, për të cilin vendimi u mor përfundimisht më 15 mars, pas konsultimeve të gjata. Kjo masë qe vendosur në shkurt 2016 nga ministrat e Brendshëm të BE dhe synon të luftojë terrorizmin. Kështu synohet të pengohet që luftëtarë xhihadistë, të cilët kanë një pasaportë të një shteti anëtar të Shengenit, të mund të kthehen nga Siria dhe Iraku pa u njohur.

Në praktikën e deritnaishme mjaftonte që kufitarët vetëm ta kryenin kontrollin themelor, përkatësisht kontrollin rutinor të dokumenteve të udhëtimit të qytetarëve të BE-së.

Policia Federale gjermane dha garanci se synon që t’i mbajë “sa më të pranueshme që mundet” pasojat për transportin ajror dhe kohët e pritjes për udhëtarët. Por shoqëritë e udhëtimit kanë paralajmëruar tashmë për vonesa të mundshme në kalimet kufitare, për shembull me Kroacinë. Megjithatë rregulli parashikon përjashtime, në ato raste kur aplikimi i tij strikt veçanërisht në kufijtë e vendit do të çonte në “pasoja joproporcionale në rrjedhën e qarkullimit”.

U ashpërsuan edhe direktivat për t’i kontrolluar edhe në dalje personat nga shtete pa leje për udhëtim të lirë. Për këtë grup, detyrimi për krahasimin sistematik të të dhënave deri tani vlente vetëm kur ata hynin në hapësirën e Shengenit.