Home LAJME Ziadin Sela: Nuk dua, por do duhet të formojmë një parti, shkaku...

Kryetari i Strugës Ziadin Sela, tha se dy parti nuk mjaftojnë për përfaqësimin e shqiptarëve të Maqedonisë.

Shpjegim për këtë sipas tij është gjendja aktuale e shqiptarëve të Maqedonisë, dhe mënyra se si përfaqësohen ata në institucione.

Madje, Sela i quan mashtrime përpjekjet e Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit, kur thonë se shqiptarët do të dëmtoheshin nëse vota e tyre do të shpërndahej në më shumë subjekte politike.

Duke folur në studion e Info Magazinës në Klan Kosova, Sela tha se nuk i ka mbetur zgjidhje tjetër përpos të themelojë një subjekt të ri politik.

“Nuk është që kam dasht të bëjë një subjekt politike, por në këtë situatë kur ka një zotëri Thaçi që aspak nuk do të dëgjojë, për krijimin e komisioneve të përbashkëta që ta çojnë partinë në kongres, atëherë unë nuk kam zgjidhje tjetër, pos ta bëjë partinë e re. Ajo do të krijohet shumë shpejt “ theksoi Sela, raporton Almakos.

Ish deputeti i PDSH-së tha se asnjëherë nuk e kishte synuar pozitën e liderit të PDSH-së, ndonëse e kërkoi dorëheqjen Thacit.

Ndërkohë, në emsionin tjetër “Forum” në TV “Rrokum” Sela mes tjerash foli për gjendjen shqiptare në Maqedoni dhe iniciativën e tij për të reformuar partinë opozitare PDSH.

“Është e dhimbshme kur dëgjoj që shqiptarët në Maqedoni janë shtet-formues, kur gjendja e shqiptarëve është e njëjta si ajo para viteve të 90-ta. Ndërkaq mga Kushtetuta e 91-it u hoqën të gjitha të drejtat e garantuara nga Kushtetuta e 74 kur ke pasur decentralizim të pushtetit lokal, që tani nuk e ke”, tha Sela.

Sipas tij, shqiptarët në Maqedoni janë të shkelura dhe të përbuzura dhe shqiptarët kanë ngelur pa pikë dinjiteti. “Politikanët vazhdimisht dalin dhe kërkojnë votën në emër të gjuhës, flamurit, të drejtave të ish-luftëtarëve, pikërisht përpiqen të kthejnë të drejtat e garantuara me Kushtetutën e vitit 74, por nuk kanë sukses”, tha Sela./Almakos