Home LAJME Xhaferi: Prej 20 majit gjithçka varet nga vullneti dhe veprimi i shumicës

133694006

Nëse presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov nuk ia ndan mandatin për formim të qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev në pajtim me afatin kushtetues prej dhjetë ditësh shumica parlamentare ka të drejtë eksplicite të formojë qeverinë, ka thënë  Talat Xhaferi.

“Prej 20 majit gjithçka varet nga vullneti dhe veprimi i shumicës në Parlament”, tha Xhaferi në takimin me gazetarë, duke potencuar se qeveria formale-juridike mund të formohet edhe pas ndarje të mandatit nga ana e presidentit.

E dëshiroj, tha ai, variantin që Ivanovi ta ndajë mandatin në pajtim me Kushtetutën. “Varianti për të mos e dhënë mandatin do të thotë shkelje e Kushtetutës, neni 1, alineja 90″, tha Xhaferi.

Që të mos ketë kurrfarë pengesash për ndarje të mandatit, Xhaferi tha se i ka dërguar letër të dytë Ivanovit. Sipas tij, nëse më datën 10 të këtij muaji është arkivuar ajo shkresë, 19 maji është dita e fundit për ndarje të mandatit dhe atëherë ai si kryetar i Kuvendit nuk mund të ngritë kurrfarë procedure. Nga aspekti formal-juridik, nëse ditën e njëmbëdhjetë mandatari atij i parashtroi Propozim-program dhe Propozim-përbërje të qeverisë së re, ai ka obligim për 15 ditë të thirrë mbledhje.

Në pyetjen se çka nëse sërish ka protesta, tha se qytetarët kanë të drejtë për protestë, por se nuk do të duhej të përsëriten ngjarjet e 27 prillit.

Në takim me gazetarët Xhaferi tha se duke pasur parasysh nevojën për mbajtje sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale nuk përjashtohet që mbledhja për ndryshime të Kodit Zgjedhor dhe caktim të datës së re për këto zgjedhje të mbahet paralelisht me mbledhjen për zgjedhje të qeverisë së re. Por, siç tha, kjo varet nga partitë politike përkatësisht nga ajo nëse dhe kur ato do të arrijnë marrëveshje për datë të mbajtjes së zgjedhjeve lokale. Para dy ditësh ai ka pasur komunikim me liderët e BDI-së, Ali Ahmeti, LSDM-së, Zoran Zaev dhe me përfaqësuesin e VMRO-DPMNE-së dhe i ka njoftuar me procedurat lidhur me caktimin e zgjedhjeve lokale. Obligim i partive politike është të arrijnë konsensus dhe bashkarisht të dalin me propozim para Kuvendit në mënyrë që të ngritet procedurë.  Duhet të merret parasysh se nga shpallja e zgjedhjeve deri në mbajtjen e tyre ka afat prej 70 ditëve. Xhaferi mendon se edhe pse për momentin nuk janë formuar komisionet, procedura formale për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe për shpalljen e zgjedhjeve mund të përfundojë në afat prej një dite. Kuvendi nëse duhet, tha ai, do të mblidhet 24 orë dhe do të formohen komisionet, ndërsa ndryshimet do të sillen me procedurë të shkurtuar.