Home LAJME Vlera Gjakova EVN: Shqipëroni faturat e energjisë elektrike

Një temë mjaft e përfolur janë edhe faturat e energjisë elektrike, të cilat çdo muaj na rikujtojnë për shpenzimet që i kemi bërë, të cilat padyshim se duhet t’i paguajmë.

Shumë qytetarë kanë adresuar pyetje të ndryshme në lidhje me faturat e energjisë elektrike, duke pyetur se, a mund t’i marrim faturat në gjuhën shqipe?

Edhe pse e kemi shkruar disa herë për këtë temë, portali informativ ALMAKOS përsëri ka komunikuar me zëdhënësen e kompanisë EVN Maqedoni, Vlera Gjakova, duke dashur që edhe një herë të zbërthejmë çështjen e faturave.

„Po, EVN bënë shqipërimin e faturave për të gjithë ata konsumatorë që kanë dëshirë që faturat e energjisë elektrike t’ju vijnë në gjuhën shqipe“, deklaron Vlera Gjakova, zëdhënëse e kompanisë EVN Maqedoni.

Gjakova ka bërë të ditur se është e vetmja kompani private në Maqedoni që i shqipëron faturat, ndërsa në anën tjetër shpjegon se si ligji aktual NUK i obligon kompanitë private për të komunikuar në shqip me konsumatorët.

“EVN është e vemtja kompani që shqipëron faturat për qytetarët shqiptarë, dhe, këtë e bëjmë me dëshirën më të mirë, që bashkëpunimi, komunikimi me konsumatorët të jetë sa më i lehtë, edhe pse, qytetarët duhet ta dijnë se, sipas ligjit në fuqi për përdorimin e gjuhëve EVN nuk ka obligim që të lëshojë faturë edhe në gjuhën shqipe“, shpjegon Gjakova duke shtuar se, në kushtetuën e R. M. në ligjin për përdorimin e gjuhëve, në ligjin e Qytetit të Shkupit, në ligjin e Qeversjes Lokale, në aktet nënligjore dhe në Marrëveshjen Kornizë, obligim që komunikimi të jetë edhe në gjuhën shqipe kanë vetëm organet shtetërore dhe institucionet POR jo edhe shoqëritë afariste siç është EVN.

Gjakova ka informuar gjithashtu se procesi që faturat të shqipërohen është shumë i lehtë dhe i shpejtë, ku të gjithë të interesuarit duhet të plotësojnë një kërkesë paraprake të cilin mund ta gjejnë në çdo Qendër Energjetike të Konsumatorëve (QEK) në R. M., procedurë e cila nuk zgjat më shumë se dy minuta, dhe nga muaji i ardhshëm faturat do t’ju vijnë në gjuhën shqipe.

„EVN është e palëkundur në qëllimet e saja, në ndërtimin e zhvillimit të qëndrueshëm në të gjitha segmentet e punës, me qëllim që të siguron kualitet më të lartë jetësor për të gjithë konsumatorët, ku natyrisht që shqipërimi i faturave ka mu këtë qëllim, kujdesin ndaj komunikimit korrekt dhe të mirë, gjithashtu dhe për të punësuarit, natyrën dhe shoqërinë“, theskon Gjakova./Almakos