Home LAJME Viti i Ri rreth e rrotull botës

viti-i-ri-rreth-e-rrotull-bot-euml-s_hd

Nata e pritjes së Vitit të Ri është një ndër festat më të gëzueshme, që festohet në gjithë planetin. Është natë e cila te njerëzit ngjall disponim të mirë. Njerëzit, në anë të ndryshme të botës, në mënyrë të ndryshme e presin Vitin e Ri, por që të gjithë besojnë se dëshirat e tyre do të realizohen në vitin që e presin.

Në të gjithë globin festohet Viti i Ri, por çdo vend ka zakonet e veta, pagane ose fetare, të cilave u duhet zënë besë për të sjellë fat të mbarë për Vitin e Ri. Mesnata shënjon një moment kalimi që i kujton botës fundin e diçkaje dhe fillimin e një përshkimi të ri për t’u bërë. Të gjitha simbolet dhe zakonet e Vitit të Ri kanë rrënjë të lashta dhe arsyetimi i tyre shpesh është pak ose aspak i njohur. Ejani t’i zbulojmë…

Dita e parë e vitit, në botën moderne është 1 Janari sipas kalendarit Gregorian që është në përdorim në të gjithë botën. Në masën më të madhe në të gjitha shtetet është ditë feste. Ishte Jul Cezari ai që vitin 46 para Krishtit krijoi “kalendarin julian” dhe përcaktoi se Viti i Ri niste më 1 Janar. Në këtë ditë romakët ftonin për darkë miq dhe shkëmbenin si dhuratë një vazo të bardhë me mjaltë, fruta dhe fiq të thatë, të gjitha të shoqëruara me disa degë dafine. Ky konsiderohej peshqeshi që ndillte fat dhe lumturi.

Viti i Ri, për herë të parë është shënuar në Babiloninë antike, para 4000 mijë vjetësh. Rreth vitit 2000 para erës sonë, Viti i Ri babilonas ka filluar me Hënën e Re dhe në Ditën e parë të pranverës. Fillimi i pranverës, logjikisht, ka qenë kohë për një fillim të ri të vitit. Data e 1 janarit për babilonasit nuk ka pasur kuptim, as astronomik as agronomik. Festimi i Vitit të Ri ka zgjatur 11 ditë dhe secila ditë ka pasur shënimin e vet të veçantë dhe me siguri festimi i sotëm i Vitit të Ri ka filluar sipas respektimit të zakoneve të Babilonisë.

FESTA NË ROMË ME VITIN E JULIANIT 
Senati i Romës, duke dëshiruar që ta ndjekë kalendarin e vërtetë, në vitin 153 para erës sonë, 1 janarin e ka caktuar si fillim të Vitit të Ri. Jul Cezari në vitin 46 para erës sonë e ka zyrtarizuar kalendarin, të cilin ne sot e quajmë – viti i Julianit. Një janarin e ka caktuar si ditë të parë të motmotit të ri. Mirëpo, që ta sinkronizonte kalendarin me Diellin, Jul Cezari është dashur që të
lejojë që viti paraprak të zgjasë 445 ditë. Edhe pse që nga shekulli i parë i erës sonë romakët kanë vazhduar ta festojnë Vitin e Ri, kisha e hershme katolike e ka gjykuar një zakon të këtillë, duke e quajtur zakon pagan. Mirëpo, meqë të krishterët kanë qenë gjithnjë e më të shtrirë, kisha katolike është dashur t’i pranojë shumë zakone të tyre, duke i pranuar edhe ritualet e Vitit të Ri.

KORI ANGLEZ DHE KAMBANAT E BIG BENIT 
Në Angli qytetarët mblidhen në mënyrë masive në Trafalgar Square në Piccadilly, për t’i dëgjuar kambanat e Big Benit londinez, të cilat dëftojnë ardhjen e Vitit të Ri. Të gjithë mbahen dorë për dore dhe këndojnë këngën “Auld Lang Syne”, të cilën e ka shkruar Robert Burns në vitin 1700.
Në përkthim të lirë titulli i këngës do të thotë “dikur moti”, ose më thjesht, “kohë e moçme të mira”. Këngën e këndojnë të gjithë ata që për gjuhë amtare e kanë anglishten. Në Angli është shumë i rëndësishëm “first footing-u”, ose rituali i hyrjes së parë në shtëpi pas mesnatës. Personi i cili i pari e kalon pragun e derës, quhet “First Footer”. Ky duhet të jetë ndonjë mashkull i ri, me pamje të shëndoshë dhe të bukur/duhet të jetë zeshkan dhe në shtëpi të fusë një monedhëz, bukë, kripë dhe të holla, sepse këto janë simbole të pasurisë. Zakonin e këmbimit të dhuratave anglezët e kanë lëvizur nga Viti i Ri te Kërshëndellat, edhe pse ky këmbim burimisht është bërë në natën e ndërrimit të motmoteve. Burrat, për shembull, dikur, grave të tyre u kanë dhënë të holla për të blerë karfica për flokë për vitin që vjen. Ky zakon është shuar, porse ende ekziston besimi se burri e gruaja do të duhej t’i dhuronin njëri-tjetrit para. Në Britani të Madhe, ditën e Vitit të Ri fëmijët çohen herët dhe i vizitojnë fqinjët dhe miqtë, duke ua kënduar këngën e Vitit të Ri. Si kundërvlerë marrin monedhëza, mollë dhe ëmbëlsira.

FESTIMI NË MËNYRËN AMERIKANE, SIRENAT E MESNATËS DHE KËNGA 
Amerikanët e festojnë ardhjen e Vitit të Ri me organizimin e zbavitjeve të ndryshme. Festimi më i madh organizohet në qendrën e Nju-Jorkut, në Times Square. Topi i madh, që paraqet vitin që po shkon, pikërisht në gjysmë të natës lëshohet në tokë. Atëherë, të gjithë fillojnë të këndojnë këngën e miqve “Auld Lang Syne”, të cilën e këndojnë anglezët. Manifestimi i parë i Vitit të Ri në Times Square është mbajtur më 1904. Pronarët e një ndërtese në qendër të sheshit kanë festuar për herë të parë ndërrimin e motmotit në kulm të rrokaqiellit të tyre. Tre vjet pas kësaj, topi i njohur njurorkas, për herë të parë është lëshuar nga rrokaqiell. Që nga atëherë deri më sot, me përjashtim të Luftës së Dytë Botërore, miliona njerëz vijnë pikërisht në këtë shesh që të festojnë ardhjen e Vitit të Ri.
Saktësisht, në mesnatë, njerëzit puthen dhe u bien zëshëm sirenave të automobilave. Fillimin e Vitit të Ri e përshëndesin duke fërshëllyer me bilbila (filikaça) dhe trumbeta letrash. Çdo vit gjatë natës së Vitit të Ri, në Times Square bien tonelata letrash të prera! Përveç ëmbëlsirave dhe shampanjës, shërbehen bizelja e larme dhe orizi. Për shumicën e njerëzve, mjerisht, jo vetëm në Amerikë, pritja e Vitit të Ri do ” të thotë edhe konsumim i tepruar i alkoolit. Në disa pjesë të Amerikës ekziston zakoni i ri që para fillimit të festimit të caktohen personat që quhen “ngasësit e paracaktuar”, detyrë e të cilëve është që pas festimit t’i bartin njerëzit që kanë pirë pak më shumë, nëpër shtëpitë e tyre. Në disa qytete amerikane gjatë kësaj nate, taksitë shërbejnë falas, ndërsa disa amerikanë festojnë aty ku nuk pihet alkool. Më shumë se 220 qytete amerikane organizojnë argëtime të këtilla, ndërsa artistët në Boston këtë traditë e kanë filluar më 1976, sepse kanë dëshiruar që Vitin e Ri ta presin pa argëtime të zëshme dhe pa konsumim të alkoolit.

BESËTYTNITË LATINO-AMERIKANE, KALLJA E KUKULLAVE 
Në Amerikën e Jugut, festivali i Vitit të Ri nis me bërjen e kukullave, të cilat janë të veshura me gazeta të vjetra dhe të mbuluara me xixëllonja. Kukullën ose ‘shtrigën’ e vendosin jashtë shtëpisë. Në mesnatë, secili anë¬tar i familjes e ndez nga një xixëllonjë të vënë në kukull. Kur të gjitha xixëllonjat të kallen dhe kukulla humb në tym, viti i vjetër harrohet dhe fillon i riu. Kukullat e Vitit të Ri bëhen edhe në Bolivi. Popujt e atjeshëm, kukullat e drurit, të bëra kujdesshëm për këtë rast, i varin para shtëpisë dhe shpresojnë se shtëpillëku do t’u sjellë fat dhe gëzimin.

FESTAT GREKE, ME MJALTË, ULLINJ, ARRA … 
Një janari është datë e rëndësishme në Greqi, sepse nuk është vetëm dita e parë e vitit të ri, por edhe ditë e shën Vasilisit, që ka qenë stërgjysh i kishës ortodokse greke dhe ka mbetur në mbamendje sipas kujdesit ndaj të varfërve. Sipas traditës, shën Vasilisi i viziton natën fëmijët dhe u lë dhurata në këpucët e tyre. Prandaj, më 1 janar njerëzit i vizitojnë kushërinjtë dhe miqtë e tyre dhe këmbejnë dhurata. Këto ditë vizitorët shërbehen me ushqime të pasura, dëgjohet muzikë e këndshme, ndërsa ëmbëlsira shërbehet sipas respektimit të rregullave në mënyrë rigoroze – kafshata e parë është për shën Vasilisin, e dyta për shtëpinë, kafshatat e tjera për anëtarin më të moçëm të shtëpisë dhe për të tjerët, duke i përfshirë edhe ata që mungojnë në këtë natë. Duhet ndarë një pjesë edhe për kafshët, ndërsa pjesa më e madhe ndahet për të varfrit. Atij që e gjen monedhën në copën e tij të ëmbëlsirës, në vitin në vijim do t’i prijë fati. Në tryezë gjithherë shtrohen mjalti, ullinjtë, arrat, pemët e freskëta dhe simbolet e tjera të fatit dhe të shëndetit. Personi që i pari kalon pragun e shtëpisë gjatë natës së Vitit të Ri, asaj familjeje, në vitin vijues do t’i sjellë lumturi!

FISHEKZJARRËT KINEZË, TRADITA, RITUALET 
Viti i Ri kinez ka histori shumë të begatshme. Kinezët e festojnë Vitin e Ri njësoj si popujt perëndimorë, duke e respektuar traditën e tyre dhe ritualet. Mirëpo, Viti i Ri festohet si festival që zgjat dy javë, ndërsa fillon më 12 shkurt. Përgatitjet për festival zgjasin një muaj. Po kështu, secila shtëpi para Vitit të Ri përgatitet në mënyrë gjenerale, sepse besohet se në këtë mënyrë shtëpia pastrohet nga të këqijat. Dritaret dhe dyert ngjyrosen me të kuqe dhe zbukurohen me dekorime letrash të shkruara me tema nga lumturia, shëndeti dhe jeta e gjatë. Pjesa më eksituese i festimit është gjithsesi nata e Vitit të Ri. Çdo gjë zgjidhet me shumë kujdes, në harmoni me ritualet tradicionale dhe me zakonet. Darka është gosti e vërtetë. Frutat e detit paraqesin dëshira të ndryshme, guacat simbolizojnë jetën e gjatë dhe fatin, ndërsa sallata e peshkut është e mirë për prosperitet. Është zakon që të gjithë të kenë të veshur diçka të kuqe, sepse besohet se në këtë mënyrë i largojnë të ligat. Nuk vishen me rroba të bardha dhe të zeza, sepse këto ngjyra në kulturën kineze paraqesin pikëllimin dhe mbajtjen e zisë. Pas darkës, anëtarët e familjes luajnë letra ose shikojnë televizor. Në mesnatë, qielli mbulohet nga fishekzjarrët e shumtë.
Të nesërmen shkojnë te komshinjtë dhe te miqtë që t’ua urojnë njëri-tjetrit Vitin e Ri.

FESTIVALI I INDISË DHE HARRIMI I GRINDJEVE 
Festimi i Vitit të Ri në lndi quhet Divali (Diwali), dhe ky është festival i dritës. Manifestohet ndryshe-ndryshe në anë të ndryshme të Indisë. Tri ditët e fundit të tetorit dhe në fillim të nëntorit, secili qytet dhe fshat ndriçohen nga mijëra llamba. Shtëpitë dekorohen me llamba të vogla të vajit, të njohura si Diva. Ato janë të renditura nëpër shtëpi, nëpër dritare dhe në kënde të kopshtit. Në qytete, me drita zbukurohen ndërtesat e banimit. Sipas besimit, dritat ndihmojnë që të përndiqen të ligat dhe të ftohet mirëqenia. Njerëzit në lndi mundohen t’i kryejnë të gjitha punët e pakryera deri në ditën e festës Divali, ndërsa të afërmve të tyre u dërgojnë urime të Vitit të Ri, e rezymojnë vitin që po mbetet pas dhe i harrojnë të gjitha grindjet që kanë ndodhur në atë vit. Madje edhe shtazët që u shërbejnë ato ditë janë të lara dhe të dekoruara për festival.
Divali, po kështu, është edhe festival religjioz. Indusët besojnë në Zotin Prica Ramu, i cili e ka humbur mbretërinë, ndërsa gruan e tij ia ka marrë djalli Ravana. Pas shumë betejave me demonët, ai ka arritur ta mposhtë Ravanën dhe ta kthejë të shoqen. Indusët manifestojnë përfundimin me fat të këtij tregimi, sepse e mira ka fituar mbi të keqen. Në atë kohë festohet edhe Lakshmi, perëndesha e së mirës dhe e lumturisë. Llambat ndriçojnë rrugën deri në shtëpi, në mënyrë që ajo të mund t’i vizitojë dhe t’i gjejë gjatë gjithë vitit. Në shtëpitë indase, ushqimi dekorohet sidomos gjatë festës. Nëpër tempuj mbahen ceremoni, me ç’rast flitet për Zotin Ramo dhe për gruan e tij. Në ceremoni marrin pjesë argëtues të ndryshëm. /Telegrafi/