Home LIFESTYLE VIDEO/ Autostrada Shkup-Gostivar në gjendje katastrofale

Autostrada nga Shkupi përmes Tetovës deri në Gostivar është në gjendje katastrofale. Vozitësit thonë se ky aks urgjentisht duhet riparuar pasi po bëhet i rrezikshëm për shoferët. Të revoltuar, at thonë se nuk është korrekte të paguajnë në pikat pagesore e nga ana tjetër t’i shkatërrojnë makinat.

“Autostrada është zero. A ka vështirësi gjatë vozitjes? Ka. Ka gropa gjithandej. Paguajmë në pikat pagesore, por për kot”.

Profesori universitar Vullnet Palloshi thotë se nëse duam që autostradat të jenë të qëndrueshme 25 vjet, patjetër të revitalizohen në çdo pesë vjet. Ai thotë se qeveria në largim në mënyrë të përshpejtuar ndërton autostrada të reja, ndërsa tërësisht po i anashkalon ato ekzistuese.

Pikërisht infrastruktura e dobët, sipas hulumtimeve është shkak pse në Maqedoni nuk ulet numri i aksidenteve dhe viktimave të trafikut nëpër autostrada. Në nivel vjetor në vend ka rreth 90 viktima në një milion banor, ndërsa në rajon dhe Evropë ky numër është rreth 50 në një milion banor. Edhe pse kërkuam deklaratë apo qëndrim zyrtar nga ndërmarrja publike për rrugë shtetërore, nëse dhe kur do të revitalizohet ky aks i rëndësishëm për qytetarët e pjesës perëndimore të vendit, përgjigje nuk morëm. Përgjigje nuk morëm as numrin e makinave që qarkullojnë këtë autostradë brenda një viti dhe sa para grumbullohen nga pikat pagesore. Jozyrtarisht, sipas burimeve të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, tash për tash nuk planifikohet riparimi i autostradës nga Shkupi deri në Tetovë. Në program planifikohet vetëm riparimi i rrugës rajonale nga Saraji përmes Grupçinit deri në Zhelinë, gjegjësisht rruga e vjetër Shkup- Tetovë. Për autostradën Gostivar- Kërçovë planifikohen të shpenzohen rreth 6.6 milion euro, gjegjësisht 28.5 kilometra nga kjo rrugë duhet të riparohen gjatë këtij viti.