Home LAJME Venizellos në Tiranë diskuton për çështjen çame

Sot, nënkryetari i qeverisë greke dhe ministër i jashtëm, Evangelos Venizelos, do të mbërrijë në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Kjo do të jetë tentativa e parë e Athinës për t’u zhbllokuar marrëdhëniet midis të dy vendeve fqinje nga ngërçi ku u përfshinë pas anullimit nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, të marrëveshjes për kufirin detar.

Menjëherë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, është evidentuar një predispozicion i të dy palëve për t’i zhbllokuar marrëdhëniet, sapo qeveria Rama të merrte detyrën. Në fakt, kryeministri i ri shqiptar, bëri një vizitë private në Athinë, në fillim të gushtit, ku u takua me kryeministrin Samaras, si dhe me Venizelosin; këtë të fundit e takoi edhe në cilësinë e kryetarit të partisë simotër socialiste.

Në disa intervista dhënë kohët e fundit mediave greke, Rama ka konfirmuar gatishmërinë dhe vullnetin e të dy palëve “për të kapërcyer çdo problem të momentit”. Më tej, ka përsëritur bindjen e tij se marrëdhëniet midis të dy vendeve do të shënojnë një bashkëpunim të ngushtë, në dobi të secilës prej palëve.

Siç kanë bërë me dije për “ABC News” burime nga Ministria e Jashtme greke, në takimet që Vanizelos do të zhvillojë me palën shqiptare, do të diskutohet gjithë gama e problematikës së marrëdhënieve.

Athina konsideron si prioritet marrëveshjen për kufirin detar, e inkurajuar edhe nga deklarata e kryeministrit Rama, se “do të duhet të diskutojmë dhe të gjejmë mënyrën e duhur për ta riaktivizuar, me respekt të plotë ndaj pikëpamjeve të njeri-tjetrit, por nga ana tjetër me gjithë vullnetin e mirë që kërkon nga të dy palët e ardhmja e përbashkët”.

Një tjetër temë prioritare, e ndërlidhur me marrëveshjen për kufirin detar, është vendimi i Athinës për të avancuar në shpalljen e zonave ekskluzive ekonomike. Aksion për të cilin, sa kryeministri Samaras, aq edhe Venizelos, janë shprehur vazhdimisht se do të bëhet në marrëveshje me vendet fqinje.

Gazjsellësi TAP gjithashtu do të ketë një vend të rëndësishëm në bisedime, me synim bashkërendimin e veprimeve midis Athinës, Tiranës e Romës.

Si një risi vlerësohet përfshirja në axhendën e bisedimeve diskutimi i mbi sigurimet shoqërore të emigrantëve shqiptarë në Greqi, që konsiston në njohjen e viteve të punës në tokën helene. Megjithëse tratatovat kanë nisur që në fillim të viteve 2000, në këtë çështje nuk ka patur asnjë zhvillim pozitiv deri më tani.

Më tej, problemi jashtëzakonisht shqetësues i toponimeve në pasaportat e fëmijve shqiptarë të lindur në Greqi, ku pritet që të dy palët të dakordojnë një zgjidhje përfundimtare.

Venizelos do të pritet të hënën nga presidenti shqiptar Bujar Nishani, dhe do të takohet edhe me kryeministrin Rama, ministrin e jashtëm Ditmir Bushati dhe kryetarin e Parlamentit Ilir Meta.

Do të takohet gjithashtu në kryetarin e partisë Demokratike, Lulzim Basha, kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule, si dhe do të vizitojë krypeshkopin e Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Ministri i jashtëm grek pritet gjithashtu të diskutojë me palën shqiptar ecurinë e procesit të integrimit europian të vendit fqinj, por edhe çështje rajonale, teksa presidenca greke e BE do t’i mëshojë veçanërisht integrimit të Ballkanit Perëndimor.