Home LIFESTYLE Truket për t’ju zënë gjumi shpejt

Pushime – Në këtë periudhë, temperaturat e nxehta e ndoshta më shumë streset dhe lodhjet e ditës bëhen shkak për pagjumësinë. Ndryshe nga disa këshilla, ekzistojnë disa truke për luftën ndaj netëve “të bardha”. Ato janë tepër të thjeshta për t’u vënë në praktikë

Ndonjëherë mbase ju ka ndodhur që të vuani nga pagjumësia, por që e keni kuptuar në momentin e fundit, kur e gjeni vetën në shtrat me sy të zgurdulluar duke pritur që t’ju vijë gjumi. Ngjarjet stresante, nga kjo pikëpamje, luajnë një rol vërtet të rëndësishëm, sepse ju bëjnë të lodheni dhe të qëndroni zgjuar.

Truri çoroditet duke kaluar nga një mendim në tjetrin: kujtoni të gjithë ditën dhe mendoni për gjithçka që duhet të bëni. Ju duket sikur keni humbur aftësinë për t’u përqendruar, për të menduar në momentin e së tashmes, për të gjetur mundësinë e çlodhjes dhe të rahatisë në gjumë. Ndaj, çfarë mund të bëni për të luftuar pagjumësinë?

Përqendrimi

Përqendrimi mbi momentin që përjetoni është thelbësor, sepse duhet të mendoni më pak për të shkuarën ose të ardhmen, për të përjetuar më mirë të gjitha situatat. Është e rëndësishme që një pjesë të ditës t’ia dedikoni meditimit dhe reflektimit. Ndoshta duke e nisur me pesë minuta, më pas me dhjetë dhe dalëngadalë do ta kuptoni se këtë gjë do ta përvetësoni në mënyrë shumë të natyrshme. Përqendrimi në vetvete është vërtet esencial, sepse ai mund ta ndihmojë mendjen për ta relaksuar. Objektivi themelor është ai i luftimit të stresit, qoftë edhe me “ilaçe” natyrale.

Relaksimi

Çdo rast është shumë i mirë për t’u relaksuar, vetëm se duhet të shfrytëzoni më shumë momente për të pasur mundësinë e të qenët të qetë. Edhe pse mund të jeni duke bërë një masazh ose duke i dedikuar kohë kujdesit të trupit, mund të shfrytëzoni gjithçka për ta përqendruar vëmendjen mbi ndjesinë e qetësisë. Ndoshta mendja juaj mund të rrezikojë duke shkuar sa andej këndej, por ju takon juve që ta ndaloni atë duke përdorur për shembull teknika relaksimi mendor, nëpërmjet ushtrimeve kundër ankthit dhe stresit.

Jini të ndërgjegjshëm për atë se çfarë hani

Sa herë që hani, nuk jeni gjithmonë prezentë ndaj asaj që po bëni dhe asaj që po konsumoni. Përqendrimi mbi të ngrënit të diçkaje, mbi mënyrën se si po e bëni dhe të qenët të ndërgjegjshëm ndaj gjithçkaje, është thelbësore. Duhet t’i dedikoni më shumë kohë vëzhgimit të ngjyrës së ushqimeve, formës së tyre dhe ta ndieni më mirë shijen, aromën dhe përbërjen. Truri duhet t’u dedikojë më shumë kohë këtyre veprimeve, për të ristabilizuar një ekuilibër më të mirë mes mendjes dhe trupit.

Provoni ushtrimet e vetëdijes

Ndoshta nuk jeni mësuar që të jeni të vetëdijshëm për veten, megjithatë asnjëherë nuk duhet të lodheni me ushtrimet e ndërgjegjes, të cilat mund të vihen në veprim nëpërmjet shumë situatave. Mënyra ideale është ajo e përqendrimit mbi diçka, edhe mbi një pjesë të vogël të ambientit ku ndodheni. Në momentin në të cilin bëheni të aftë në këtë teknikë, ju mund ta përdorni atë në avantazhin tuaj, sidomos në situatat më stresante.