Home LAJME Trajanov kërkon ndryshimin e ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve

Rasti Kezharovski, ishte shkak që Lidhja Demokratike të ngrejë iniciativë për ndryshime dhe plotësime në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Sipas iniciuesit të këtyre ndryshimeve Pavle Trajanov, ligji aktual parasheh dënime drakonike për zbulimin e identitetit të dëshmitarit mbrojtës, dënimi minimal është 4 vjet burg, derisa ai maksimal 15 vite burg. LD-ja përmes ndryshimeve kërkon zvogëlimin e dënimeve dhe atë vetëm për personin tretë.

“Dënimet që janë për gjykatës, prokuror publik, përfaqësues të policisë apo të tjerë që në mënyrë direke janë të përfshirë në projektin për zbatimin programit për mbrojtjen e dëshmitarëve, mbeten të njëjta, këto nuk ndryshohen. Propozimi jonë ka të bëj me zvogëlimin e dënimeve për personat e tretë që mësojnë, ja rasti konkret për gazetarët apo persona të tjerë”, deklaroi Pavle Trajanov, LD.

Propozimi i Trajanovit mori mbështetje nga LSDM-ja dhe BDI-ja.
“Ne do të mbështetim një gjë të tillë nëse pika inicuese do të jetë rasti Kezharovski i cili veç më u bë rast evropian e jo maqedonas. Nëse ju kujtohet LSDM-ja dërgoi informacion për keqpërdorimin e paraburgimit, prezumimin e pafajësisë dhe ne mendojmë se ato janë tema të rëndësishme në shoqëri e ndoshta kryesoret që gjenerojnë frikë auto censurë te gazetarët por edhe te qytetarët e rëndomtë. Edhe po të jetë kjo iniciativë ndonjë shtyrje në derë të vogël nga ana e koalicioni më të madh, VMRO-DPMNE ajo mund të jetë e mirëseardhur nëse teksti dhe propozimi zgjidh së paku një pjesë të këtyre problemeve me të cilat është përfshirë Maqedonia këtyre ditëve”, tha Gordan Georgiev, LSDM .

“Rasti i gazetarit Kezharovski na ka bë të gjithëve sy çel, se Maqedonia ka ndëshkime shumë të mëdha kur është në pyetje zbulimi I dëshmitarit mbrojtës. Iniciativën e deputetit Trajanovski e vlerësojmë si qëllim mirë, vlen që të shqyrtohet kjo iniciativë dhe mendojmë se RM nëse në këto momente shumë të rëndësishme arrin që t’i zvogëloj politikat ndëshkuese kur është në pyetje dëshmitari mbrojtës mendojmë se do të tregojmë një vullnet të mirë dhe mendojmë se me zbutjen e dënimeve do të zbutet edhe atmosfera e përgjithshme që është krijuar në Republikën e Maqedonisë, një atmosferë e pasigurisë juridike që është krijuar pikërisht me rastin Kezharovski”, deklaroi Suzana Salihu, BDI.

Kjo është iniciativa e parë konkrete pas shqiptimit të dënimit për gazetarin Kezharovski. Deri tani ka pasur deklarata dhe komente të ndryshme si nga përfaqësues politik në vend, po ashtu edhe nga asociacionet e ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Ndryshe kohë më parë gazetari Kezharovsi i është shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 4.5 vjet burg. Bedri Rexhallari