Home LIFESTYLE Tirana e 17-vjeçarëve, kampione e Shqipërisë

Nëse ekipi i parë i Tiranës po kalon një nga periudhat më të errëta të historisë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për ekipet e grupmoshave. Skuadra e 17-vjeçarëve mbajti lart nderin e klubit bardheblu pasi u shpall kampione e kësaj kategorie pas një ndeshjeje emocionuese në finalen kundër Akademisë së Futbollit. Të rinjtë e drejtuar nga Sulejman Mema arritën të triumfonin në ndeshjen e luajtur në “Selman Stermasi” vetëm pas lotarisë së 11-metërshave.

Një ndeshje shumë e luftuar ajo ndaj Akademisë së Alban Bushit, madje Tirana rrezikoi jo pak herë të pësonte një gol që mund ta kishte komplikuar situatën. Pjesa e dytë, ashtu si e para tregoi ekujlibër të plotë mes dy skuadrave që tentuan të shkonin në zonat kundërshtare me pak forca, duke u kujdesur më shumë për të mos e humbur këtë sfidë.

Pas 80 minutave lojë nën diellin përvëlues dhe lodhjes që u ndie gjatë minutave të fundit, fati i titullit kampio do të vendosej nga pika e bardhë ku bardheblutë triumfuan 4-2. 11 metërshin vendimtar të takimit e gaboi Hasderraj i Akademisë, ndërsa në krahun tjetër Tirana nuk gaboi duke triumfuar dhe duke reflektuar ecurinë e shkëlqyer të këtij sezoni që e mbylli në vendin e parë të Grupit A me 3 pikë më shumë se Adademia.