Home LAJME Thaçi heq taksën doganore për shqiptarët e Luginës

Qeveria e Kosovës do t’i heq taksat doganore për të gjithë shqiptarët e Luginës së Preshevës që hyjnë në Kosovë prej datës 21 tetor 2013. Këtë vendim e ka komunikuar Kryeministri Hashim Thaçi, pas një takimi me liderët e Luginës së Preshevës, i cili ka thënë se këtë e ka bërë për t’ua lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës. Derisa ka ripërseritur se nuk do të ketë lejim të vizitave të zyrtarëve serb me karakter elektoral, por vetëm nëse kërkesat për vizitë në Kosovë kanë karakter fetar për ta vizituar ndonjë manastir.

Gjatë këtij takimi që pati kryeministri me liderët e Luginës, ai u ka premtuar atyre mbështetje në të gjitha fushat. Ai u ka premtuar ndihmë konkrete, edhe në hapjen e Universitetit në Preshevë.

“Unë kam vendosur që për t’iu lehtësuar qarkullimin qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës në drejtim të Kosovës të heqim plotësisht taksat për veturat, pra për lëvizjen e lirë, në mënyrë që të krijomë kushte dhe rrethana shumë më të lehta për lëvizje. Nga 21 tetori i këtij viti do të hiqen plotësisht taksat për veturat që hyjnë në Kosovë dhe dalin. Këto obligime do t’i merr Qeveria e Republikës se Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa, në anën tjetër, Jonuz Musliu kryetar i LPD-së, ka thënë se kanë marrë një mbështetje nga kryeministri i Kosovës dhe nga shteti i Kosovës se qytetarët e Luginës nuk janë vet, por natyrisht është me shtetin e Kosovës. Musliu tha se do të kenë mbështetje nga Qeveria e Kosovës dhe se është koha dhe momenti që të gjithë shqiptarët të flasin me një zë dhe të jenë unik.

“Na gëzon fakti që po hiqen taksat e veturave, nga Qeveria e Kosovës, sepse, kemi qenë të bllokuar, sidomos në këto dy vitet e fundit. Lëvizja e lirë ka qenë e mangët, dhe veç rasteve urgjente që kanë mundur të lëvizin. Por, tani, nga 21 tetori, do të kenë të gjithë lëvizje të lirë në drejtim të Kosovës, por jo vetëm në këtë, por edhe në fushën e arsimit, themelimit të Universitetit në Komunën e Preshevës, edhe pse është hapur në Gjilan, por do të hapet natyrisht edhe në Bujanoc dhe bashkërisht do të kemi një mbështetje nga Kosova. Por, edhe në fushat tjera do të kemi mbështetje”, ka thënë Musliu.

Mirëpo, kreu i Qeverisë nuk ka specifikuar se kur do ta vizitojë Luginën e Preshevës si kryeministër i Kosovës, duke respektuar lirinë e lëvizjes. Ai tha se në kohët me të vështira ka qenë në Luginë dhe kanë qenë edhe ministrat e kabinetit të tij, por do të vij koha që edhe kryeministrat e Kosovës ta vizitojnë Preshevën.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe një herë rreth vizitave të zyrtarëve serb në Kosovë gjatë fushatës elektorale, duke thënë se në asnjë mënyrë nuk do të lejohen nëse ato bëhen për motive elektorale, por vetëm nëse do të jenë me karakter fetar, për vizitë ndonjë manastiri.

Ai tha se ata respektojnë lirinë e lëvizjes dhe e praktikojnë në jetë, duke mos u nisur nga baza diskriminuese, por krijimi i bazës dhe mundësive të barabarta dhe vetëm duke respektuar standardet evropiane edhe Kosova mund të lëvizë drejt BE-së, por edhe Serbia mund të lëvizë drejt BE-së.

“Nëse do të ketë ndonjë kërkesë specifike nga liderët e Serbisë për të vizituar Kosovën, kjo kërkesë e tyre do të shqyrtohet shumë mirë prej Qeverisë së Kosovës, dhe do të marrim vendime se a do të lejohen për të vizituar Kosovën apo jo. Vendimi përfundimtar është i Kosovës, është vendim autonom, dhe i askujt tjetër, madje i asnjë mekanizmi ndërkombëtarë, ndërsa, gjatë periudhës elektorale, unë mirëpres çdo ftesë të çdo lideri kudo që është, qoftë në Prishtinë, Uashington, Bruksel apo vende tjera perëndimore apo edhe në Serbi që i inkurajon serbët për të marr pjesë në zgjedhje, sepse, tek e fundit, marrëveshja e 19 prillit është marrëveshje për integrimin e serbëve me realitetin e kushtetutshmërisë së Kosovës. Nëse ndodh ndonjë kërkesë, apo aprovim për vizitë të ndonjë lideri nga Serbia, atëherë mund të kenë karakter vetëm vizitë ndonjë manastiri, por assesi elektoral”, ka thënë Thaçi.

Liderët serbë po këmbëngulin që të vizitojnë Kosovën edhe në kohën e fushatës elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit, për të bërë thirrje që të votohet Lista Unike serbe e veriut të Kosovës. /telegrafi