Home LIFESTYLE Të jesh apo mos jesh shqiptar!

Andrea Stefani

Një analizë pse projekti i shtetit demokratik dhe ligjor lëngon, gulçon dhe zvarritet për turp…Në kuptimin patriotik, nuk mund të jesh edhe mafioz edhe shqiptar, edhe evazor taksash edhe shqiptar, edhe trafikant edhe shqiptar, edhe kultivues ilegal droge, femrash apo fëmijësh edhe shqiptar…Çfarë dikton sot momenti historik për këdo që i thotë vetes shqiptar. Dhe pse shqiptarinë e shpëton sot vetëm Drejtësia!

Sot momenti historik dikton, për këdo që i thotë vetes shqiptar, t’i bashkohet luftës për drejtësi, përpjekjes për të bërë, për të parën herë në historinë e shqiptarëve, shtetin e së drejtës. Në 1912 shqiptarët shpallën pavarësinë. Lindi shteti i parë shqiptar. Sot, më shumë se një shekull nga ajo ditë e lavdishme, kjo nuk mjafton. Që të mbijetojë, shqiptaria duhet të rilindë si shtet i së drejtës. Në Tiranë dhe Prishtinë, në të dy republikat shqiptare, shteti duhet të rilindë si shteti ligjor. Dhe që kjo të ndodhë, çdo shqiptar duhet t’i bashkohet luftës për drejtësi, për shtet ligjor. Se, në kuptimin patriotik, nuk mund të jesh edhe mafioz edhe shqiptar, edhe evazor taksash edhe shqiptar, edhe trafikant edhe shqiptar, edhe kultivues ilegal droge, femrash apo fëmijësh edhe shqiptar.

Të jesh a të mos jesh shqiptar, kjo është çështja! Por çdo të thotë, në kuptimin patriotik, të jesh shqiptar? Që je i lindur nga prindër shqiptarë dhe flet shqip? Nuk është e mjaftë. Sepse, përveç kësaj, të jesh shqiptar do të thotë edhe të jesh në lartësinë e detyrës historike që shtrohet përpara atdheut tënd, Shqipërisë. Por për këtë, duhet më parë që të kuptosh se çfarë kërkon momenti historik prej Shqipërisë, pra edhe prej teje si shqiptar.

***

Detyrimet ndaj Atdheut janë të ndryshme për kohë të ndryshme. Dhe nëse askush nuk i përgjigjet atyre por thjesht shikon punët e veta apo edhe më keq, i shikon të pa lidhura me të mirën e Atdheut, ky i fundit mbetet një fjalë boshe. Mos shiko se ç’mund të bëjë Atdheu për ty por se ç’mund të bësh t’i për Atdheun! (Kenedi)

***

Mjerisht, jo pak shqiptarë ankohen sot se Atdheu (“shteti” siç shprehen rëndom ata) nuk bën gjë për ta. Dhe kjo është e vërtetë. Por kjo dobësi e Adheut (shtetit), ka për shkak faktin që ata, shqiptarët, nuk bëjnë thuajse asgjë për Atdheun. Nuk shfaqin fare dashuri për Shtetin. Sepse dashuria për Atdheun nuk mund të ndahet (kur bëhet fjalë për shtetin ligjor dhe jo për diktatura) nga dashuria për shtetin. Dhe e kundërta e dashurisë nuk është urrejtja por indiferenca. Të mos kesh dashuri për Atdheun do të thotë të jesh indiferent para halleve të tij dhe shtetit të tij. Kemi lënë mënjanë këtu atë epidemi thuajse gjithëpërfshirëse për t’i bishtnuar ligjit (shtetit) apo për të përfituar, në një masë apo në një tjetër, nga shkelja e ligjit. Që nga vjedhja e energjisë elektrike e deri tek vjedhja e milionave me tendera publikë.

***

Në kohën e Skënderbeut problemi kryesor i Shqiptarëve ishte të përballnin invazionin osman. Ishte detyrë atdhetare të kontribuoje në luftën kundër pushtuesve. E kundërta, ishte tradhti. Sot Shqipëria, si Atdhe, ndodhet përpara sfidës historike të ndërtimit të shtetit ligjor që, në një kuptim, do qe një rilindje e shtetit shqiptar në një stad më të lartë. Në vitin 1912 shteti shqiptar lindi në Vlorë. Në 2008 lindi në Prishtinë. Por sot ai duhet të rilindë, në Tiranë dhe Prishtinë, në të dy republikat shqiptare, si shtet ligjor, si shtet europian. Kjo është sfida. Dhe kush kontribuon për kapërcimin e kësaj sfide, është shqiptar. Kush nuk kontribuon është tradhtar.

***

Në këtë kuptim, dhe vetëm në këtë kuptim, sot nuk mund të jesh edhe autokrat edhe shqiptar, edhe mafioz edhe shqiptar, edhe i pasuruar me korrupsion dhe para të vjedhura nga buxhetet publike të shqiptarëve të varfër edhe shqiptar, edhe evazor e mospagues taksash edhe shqiptar, edhe trafikant femrash, fëmijësh, droge, edhe shqiptar, edhe hajdut edhe shqiptar. Patriotizmi është triumfi i virtytit dhe jo i vesit në marrëdhëniet e njeriut me shtetin.

***

Në kohën e Skënderbeut shqiptarët u investuan dhe nuk e lanë vetëm Atdheun në momentin e nevojës historike. Me luftën, gjakun dhe përpjekjen e tyre sublime, ata e nxorën Shqipërinë në ballë të rezistencës europiane duke i falur mbijetesë edhe kombit shqiptar edhe Europës. Edhe në gjithë kryengritjet kundër pushtuesit osman, edhe me lëvizjet për të mbajtur gjallë gjuhën dhe shpirtin e Shqipërisë, me Rilindjen kombëtare, Lidhjen e Prizrenit, në shpalljen e Pavarësisë e deri me rezistencën kundër pushtuesve nazifashistë apo edhe tani vonë, kundër diktaturës së Millosheviçit, shqiptarët, ju përgjigjën momentit historik siç ai e kërkonte. Dhe fituan!

***
Fituan në luftë, por kanë humbur në paqe! Historia vetë dëshmon se ndërsa kanë ditur të luftojnë, të vdesin për Atdheun, shqiptarët nuk anë ditur të rrojnë për të. Nuk kanë ditur të qeverisin me liri, me drejtësi. Kanë ditur të bëjnë luftën por jo paqen. Të gjithë regjimet e shtetit shqiptar, përjashtuar periudhat e anarkisë dhe kaosit, kanë qenë me prirje të forta diktatoriale. Shqiptari ka qenë i shtypur nga shqiptari, i burgosur nga shqiptari, i pushkatuar nga shqiptari, i dhunuar nga shqiptari. Armiku më i madh i shqiptarëve në kohë paqeje ka qenë dhe mbetet shqiptari! Një dhunë që mund ta ndalë vetëm drejtësia si shtet ligjor.

***

Momenti historik ka sjellë sot përpara Shqipërisë dhe shqiptarëve, detyrën për themelimin e shteteve me liri dhe drejtësi edhe për shqiptarin. Vërshimi në fillim të viteve ‘90 i shqiptarëve nëpër rrugë me thirrjet liri-demokraci, qe rrjedhojë e kuptimit instiktiv të thirrjes historike, e kuptimit se koha e diktaturave kish perënduar dhe se një epokë e re po agonte. Epoka e shtetit me demokraci, me drejtësi, me liri. Jemi akoma në momentin që shqiptarët të ndërgjegjësohen për këtë domosdoshmëri dhe jo ta braktisin atë. Por kjo nuk mund të ndodhë nëse instinktit nuk i bashkëngjitet arsyeja. Shteti ligjor është arsye.

***

Mjerisht, shqiptarët, të paktën deri në këto momente që po flasim, nuk janë treguar në lartësinë e kësaj domosdoshmërie historike. Projekti i shtetit demokratik dhe ligjor lëngon, gulçon, zvarritet për turp si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në atë të Shqipërisë. Në Tiranë, korrupsioni i pandëshkuar ka mbi dy dekada që nuk e ka ndjerë goditjen e drejtësisë. Në Prishtinë, në rastin e Gjykatës Speciale, kundërshtohet burracakërisht ballafaqimi me drejtësinë. Kush ka të drejtë nuk ka frikë nga drejtësia. Dhe për këtë gjendje nuk e kanë fajin vetëm, pa dyshim kryefajtorët, elitat politike të pa dedikuara për lirinë dhe drejtësinë. Faji është edhe i të gjithë shqiptarëve që vazhdojnë të jenë skllevër të bindur dhe pra, edhe mbrojtës të elitave të tyre të korruptuara.

***

Kur punët e Atdheut shkojnë keq askush nuk është pa faj. Se edhe të jesh i paaftë për lirinë tënde është njëlloj faji. Skllevër bij skllevërish, se meritoni (lirinë) se liri s’doni! – shkruante Noli. Dhe mjerisht ka akoma shumë shqiptarë që nuk e duan lirinë. Prandaj dhe se meritojnë. Se ndihen më të sigurt nën vartësinë, mburojën e partisë, liderit, pushtetit, klanit, krahinës, fisit, mafies. Dhe për dreq, jo vetëm mafia është kundër shtetit. Ka edhe liderë madje edhe pushtete e qeveri, që janë kundër shtetit ligjor, shtetit pa sundim. Por liri për njeriun ka vetëm në shtetin ligjor. Ndaj kush i thotë vetes shqiptar duhet të tregohet aq i zgjuar, sa të mbajë anën e shtetit të së drejtës. Edhe kundër partisë, liderit apo mafies që i jep lëmoshë. Patriotizmi, pra shqiptarizmi, është zgjuarsi. Nuk është tallava, të mbështillesh kuqezi e të bërtasësh o sa mir (!) kur punët e Shqipërisë janë keq e mos më keq.

***

Sot, veçanërisht sot, nuk është e lehtë të jesh i zgjuar. Nuk është e lehtë të jesh patriot. Nuk është e lehtë të jesh shqiptar. O sa mir me ken shqiptar?! Qindra mijë të larguar në 25 vjet si dhe hemorragjia e pandalshme e emigrimit nga Atdheu, “këndojnë” tjetër gjë. Thonë: O sa vshtir më ken shqiptar! Se të jesh i zgjuar, pra edhe patriot, duhet ta kuptosh kaq gjë. Nuk është dhunti e lindur apo fatalitet, është meritë.

***

Çdo të thotë të ndihesh mirë të jesh shqiptar? Do të thotë të jesh krenar jo vetëm për historinë, por edhe për arritjet e sotme të vendit tënd. Të jesh i vetëdijshëm se këto arritje ngjallin admirim e botës dhe se i vetëdijshëm për këtë, çdo shqiptar mezi pret t’i tregojë botës se është pjesë e atij komuniteti të mrekullueshëm. Sepse të thuash që jam shqiptar do të thotë t’a bësh ekzistencën tënde individuale, lirinë tënde, pjesë integrale të një të tëre më të madhe pra, edhe kontributore të arritjeve dhe sukseseve të këtij agregati njerëzor që quhet komb. Por kur këto arritje mungojnë, krenaria vdes. Dhe ashtu si jemi të prirur të shfaqemi aksionerë në arritjet e kombit, duhet të pranojmë dhe përgjegjësinë për dështimet e tij. Që na bëjnë të ndihemi keq jo vetëm para të huajve por edhe të parëve. Të ndihemi keq që jemi shqiptarë. Të ndërrojmë emrat, fenë dhe ta mbajmë të fshehtë të qenurit shqiptar.

***

Po kush do t’ia falë shqiptarëve këtë zgjuarsi, kush do t’ja injektojë? Një frymë e shenjtë, një magji, një lider, një Mesia, një parti? Jo, vetëm një sistem institucionesh të lira, një drejtësi e pavarur që jep drejtësi për shqiptarin, do t’i falë atij lirinë dhe aftësinë për të arsyetuar, do ta çlirojë nga prangat e vartësisë që janë prangat e padrejtësisë dhe arrogancës që autoritete të jashtme ushtrojnë mbi të. Shqiptarinë e shpëton sot vetëm drejtësia! Vetëm kur drejtësia të çlirojë shqiptarin nga robëria prej shqiptarit, vetëm atëherë shqiptari do të arrijë të jetë vërtet shqiptar. Sot nuk është i lirë. Prandaj është edhe i pashpresë. Prandaj arratiset nga Atdheu për t’u bërë gjerman, italian, grek, anglez apo francez. Mbi të rëndon dilema hamletiane: të jesh a të mos jesh shqiptar?

***

Sepse në monologun e hamletian, të këqiat si “zullumi i shtypësve”, “gojëçthurja e zyrtarit” apo edhe “shkelmat që çdo vlerë zemërgjerë nga të pavlershmit merr”, janë aq të padurueshme për njeriun sa e bëjnë të luhatet: të rrosh a të mos rrosh?! Dilemë që e ka rrënjën te “vonimi i ligjës” pra, te padrejtësia. Varfëria është padrejtësi, humbja e shpresës e ka emrin padrejtësi, arratisja nga Shqipëria është mallkimi i padrejtësisë! Hamleti i Shekspirit e kish kuptuar shekuj më parë. Ka ardhur momenti që dhe shqiptarët të kuptojnë. Dhe t’i japin fund dilemës jo duke u arratisur nga Shqipëria. Por duke u investuar në Shqipëri për drejtësinë dhe lirinë.