Home LAJME Sulm terorist në Londër: Të paktën gjashtë persona humbën jetën (Video)

london_-_06

Policia britanike njoftoi se në sulmin e mbrëmshëm në urën e Londrës humbën jetën gjashtë persona, ndërsa tre sulmuesit u eliminuan nga policia.

Gjithçka nisi me një kamion të bardhë që mori përpara këmbësorët në “London Bridge”, rreth orës 22 të mbrëmjes së djeshme, me orën lokale, përpara se 3 personat të dilnin në rrugë dhe të godisnin me thikë njerëzit pranë tregut “Borough”.

Policia njoftoi se 3 agresorët mbanin veshur veshje të rreme kamikazi. Njëri prej të plagosurve është oficer policie, i cili pësoi plagë nga mjeti i ftohtë prerës pasi shkoi në ndihmë të qytetarëve. Megjithatë, plagët nuk ia rrezikojnë atij jetën.

Konservatorët në Britani kanë pezulluar fushatën për zgjedhjet e përgjithshme, ndërsa kryeministrja do të kryesojë një takim të Komitetit qeveritar të Emergjencave të quajtur “Kobra”, më vonë gjatë kësaj të diele.

Tereza Mej i përshkroi zhvillimet e mbrëmjes së të shtunës si “të frikshme”, ndërsa udhëheqësi i laburistëve, Xheremi Korbin i quajti “brutale dhe shokuese”.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan tha se ai ishte “një sulm i qëllimshëm dhe frikacakësh ndaj londinezëve të pafajshëm”, por shtoi se Londra mbetet “qyteti më i sigurt në mbarë globin” dhe se londinezët nuk duhet të përulen nga terrorizmi.

Më shumë se 80 mjete të emergjencave u dërguan në vendngjarje dhe të plagosurit, disa prej të cilëve në gjendje kritike, janë duke marrë trajtimin e duhur mjekësor në 5 spitale të kryeqytetit britanik.

Ndihmëskomisioneri i Policisë Metropolitane, Mark Roulej tha se aktualisht besohet se ishin vetëm 3 agresorë të përfshirë dhe se veshjet me eksplozivë që mbanin të veshura ishin të rreme. “Jemi duke e trajtuar këtë incident si terrorist dhe po kryhet një hetim i plotë”, shtoi ai.

Ky është sulmi i tretë terrorist që godet Britaninë e Madhe në 3 muaj, pas sulmit me makinë dhe thikë në “Westminster” në muajin mars, ku mbetën 5 persona të vdekur, si dhe shpërthimeve në “Manchester Arena” më pak se dy javë më parë, ku vdiqën 22 persona.