Home LAJME Stema e re, shqiptarët kërkojnë përfshirje (VIDEO)

Qeveria e Maqedonisë ka miratuar projektligjin për stemën e re shtetërore. Simboli i ri do të përmbajë një luan me ngjyrë të kuqe në mburojë të artë dhe një kurorë në formë kështjelle në pjesën e sipërme. Stema e re është mbështetur edhe nga ministrat shqiptarë në kabinetin e kryeministrit Gruevski, të cilët shohin edhe elemente shqiptare në simbolin e ri.

Ndonëse për nga pamja kjo stemë është shumë e ngjashme me logon e partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, nga qeveria thonë se ky simboli përfaqëson të gjitha bashkësitë etnike në Maqedoni.

“Simbolet kombëtare që kishte Maqedonia ishin të lidhura me mënyrat e rregullimit shoqëror. Mendoj se është më mirë për çdo shtet që simbolet kombëtare të mos lidhen me ngjarjet aktuale, por në vlera të përhershme”, ka deklaruar zv.kryeministri Vlladimir Peshevski.

Por vendimin dhe arsyetimet e qeverisë, historiani shqiptar nga Tetova, Vebi Xhemaili i quan skandaloze dhe thotë se, ky simbol nuk përfaqëson elementin shqiptar.

“Një simbol shqiptar duhet ta ketë patjetër stema e re, nëse duan që atë ta respektojmë të gjithë si stemë të përbashkët të shtetit të përbashkët”, ka thënë Xhemaili.

Shumë analistë dhe gazetarë në Shkup kanë kritikuar jo vetëm vendimin e qeverisë për stemën e re, por edhe mbështetjen që ka marrë ky simbol përjashtues nga ministrat shqiptarë në kabinetin e Gruevskit.

“Shtrohet pyetja e logjikshme, ku janë këtu shqiptarët? Unë e di se ata do të gjejnë arsyetim se edhe luani ka të bëjë diçka me shqiptarët. Por nëse nisesh nga kjo logjikë, nëse e vë edhe një pulë mund të thuash se ajo edhe shqiptarëve ju sjellë vezë. Por këtu bëhet fjalë për frymën, fryma në këtë shtet viteve të fundit është një etnike, maqedonase me tendencë që t’i përjashtojë dhe eliminojë të gjithë të tjerët”, ka thënë analisti Kim Mehmeti.

Nga partia shqiptare në opozitë, PDSH, thonë se probleme të tilla zgjidhen përmes çetnizimit të simboleve shtetërore. Një zyrtar i lartë i PDSH-së ka thënë se pavarësisht se tani të gjithë vërsulen ta shfrytëzojnë situatën për të zgjidhur këtë problem, çështja e simboleve paraqet një temë të veçantë në marrëveshjen politike të PDSH-së, që tashmë është shndërruar në platformën e kësaj partie.

Projektligji për ndryshimin e stemës, që kaloi në qeveri një ditë më parë, duhet të marrë edhe miratimin e Kuvendit, pasi për të ndryshuar simbolet shtetërore nevojitet edhe ndryshimi i Kushtetutës me dy të tretat e votave të deputetëve. / Top Channel