Home LAJME Stema e Maqedonisë: Peshku në det, tigani në zjarr

Peshku, në këtë rast, është emri i këtij shteti, epilogu i të cilit, edhe pse kaluan njëzet e ca vjet, akoma nuk dihet, kurse tigani është stema e cila po caktohet për shtetin me emër diskutabil dhe që nuk dihet si do të quhet. Pra, pa u ditur emri final i një shteti, nuk mund të caktohet stema e tij. Kjo, sa i takon proverbës. Të kalojmë tani te thelbi i temës.

Luanin e gjejmë në stema të ndryshme dhe në periudha të ndryshme të disa shteteve, por më tepër, siç po thuhet, në atë të shtetit bullgar? Sidoqoftë, fakti që ideja ka dalë nga partia në pushtet, pa u konsultuar sa duhet, mos them fare, me subjektin shqiptar, tregon haptazi qëllimin e një veprimi të tillë, me stemë, pa asnjë element të një kombi, stërgjyshët e të cilit janë autoktonë të këtij nënqielli dhe që përbëjnë një pjesë të madhe të popullatës në këtë shtet.

Stema e propozuar me luan nga partia në pushtet, edhe pse gjatë historisë sonë të lashtë është përdorur nga ndonjë fis ilir, edhe pse edhe tani është në përdorim nga bashkia e Tiranës, ne shqiptarëve kjo stemë me luanin na asocon në VMRO-në, që nuk do të thotë se jemi kundër VMRO-së, por meqënëse Maqedonia është një shtet multietnik, apo i përbërë kryesisht nga shqiptarët dhe maqedonët, do të ishte e logjikshme dhe e pranueshme që në këtë stemë të qëndrojë edhe shqiponja jonë dykrenare. Për një stemë me shqiponjën dhe luanin, ne jemi koshientë se është e parealizueshme, prandaj zgjidhja më e mirë e këtij ngërçi do të ishte që të anulohet për një kohë kjo çështje përderisa të zgjidhet çështja e emrit, dhe pastaj të propozohet një stemë me elemente jongacmuese për asnjërën palë.