Home LAJME Sportisti kosovar, rekord botëror në Tetovë

Shqiptari nga Kosova, Agim Agushi shënoi rekordin e njëmbëdhjetë botëror në disiplinën ecje nëpër karrike duke goditur topin e futbollit me kokë.

Ai të shtunën në Tetovë ka arritur të kalojë mbi 1.661 karrike për 60 minuta, pa i ikur topi nga koka. Me këtë rezultat Agushi pret që të shënojë për herë të dytë emrin e tij në librin e librin e rekordeve Guiness.

“Sfidat e mia të radhës janë vitin tjetër në ndërtesën Burs Kalifa në Dubai, që është 176 kate, me ecje duke goditur topin e futbolli në shkallët e ndërtesës më të lartë në botë. Pastaj rekordi tjetër botëror në vijën ajrore Prishtinë-Antalia, duke goditur topin e futbollit me kokë gjatë gjithë kohës së aterimit të avionit si dhe drejtimi i veturës kabrio me top në kokë që do të organizohet në Bursa të Turqisë. Shpresoj të jemi në librin e Guiness-it, pasi kemi aplikuar për disiplinën goditjen e topit të futbollit në çifte, me djalin tim Çlirim Agushi, me të cilin edhe njëherë do të futemi në këtë libër”, është shprehur Agushi.


Rezultati i sotëm u evidentua nga një komision pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës, i cili konstatoi se Agim Agushi ka plotësuar të gjitha kriteret për thyerjen e rekordit të ri botëror në disiplinën e lartë përmendur.

Drejtuesit e USHT-së, që i mundësuan sportistit kosovar të thyejë këtë rekord, e vlerësuan atë si një ambasador të rrallë të kombit shqiptar.

“Ky është edhe një prej rekordeve që Agimi vazhdon të shënojë në eksperiencën e tij të thyerjes së rekordeve dhe për universitetin tonë dhe për të gjithë kombin shqiptar ai është një vlerë kombëtare”, deklaroi rektori i USHT-së, Vullnet Ameti.

Agim Agushi njihet si një prej sportistëve të rrallë në Kosovë në sportin performues, me rekorde të shumta dhe që ka arritur të shënojë emrin e tij edhe në librin e Guiness-it. Ai gjithë suksesin ia dedikon kombit shqiptar dhe vendlindjes së tij, Kosovës. / Top Channel