Home LAJME Spektaklet e Mimozës

Kryetarja e re e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha vendimeve, shpalljeve të tenderëve dhe ekzekutimeve të pagesave që janë bërë pas datës 3 nëntor.

Por, vetë Kryetari i AAK’së në Gjakovë, Pal Lekaj, po e sheh si dështim të realizimit të premtimeve që ka dhënë Kusari-Lila, meqë, sipas tij, po merret me gjëra të pavërteta.

Në një prononcim për lajmi.net, ai ka thënë se veprimi i Kusari-Lilës është në kundërshtim me ligjin.

“Së pari, ajo ka vepruar në kundërshtim me ligjin mbi qeverisjen lokale, mbi kontratat e ndërmarrjeve. Ende Mimoza Kusari-Lila nuk i njeh ligjet dhe nuk i ka konsultuar fare. Prandaj, çdo veprim i tillë është i ngutshëm, pa bazë ligjore. Dhe, për mua, s’ka kuptim”.

“Ajo është deklaruar që prej 3 nëntorit unë kam nënshkruar edhe kontrata për punësim, që nuk është e vërtetë. Po e gënjen opinionin publik. Por, ajo është mësuar të bëjë spektakël në media dhe për publikun. Unë e lus që ajo t’i kthehet punës dhe të filloj realizimin e premtimeve, e të mos merret me ato që nuk janë të vërteta”.

Sipas Lekajt, Ali Tafarshiku, i cili po mendon se qeverisja e kaluar ka lëshuar vendime për zgjatje të kontratave për shërbyes civilë, shpallje tenderësh e veprime tjera, po ngutet të gjykojë, sepse ai ende nuk është zëdhënës komunal.

“Më së pari, Ali Tafarshiku nuk është zëdhënës, sepse duhet një konkurs për zëdhënës të komunës. Dhe, Mimoza që në start e shkeli ligjin për punësim dhe shërbyes civilë. Ai ka qenë zëdhënës i AKR’së, por që nuk ka të drejtë të jetë zëdhënës i komunës pa u shpallur konkursi. Dhe prapë, edhe këtu, është një dështim i Mimozës”.

“Ai po flet para kohës, sepse nuk është i punësuar në komunë. Nuk ka kontratë dhe nuk ka të drejtë, sepse është zëdhënës i degës së AKR’së. Prandaj, të gjitha këto janë prej mosnjohjes së ligjeve në qeveritë lokale”, ka thënë Pal Lekaj.