Home LAJME Shqiptarët po ikin? Rama: diçka normale, ka të mirat e veta

Ndryshe nga mendimi i përgjithshëm dominues se një valë emigrimi e viteve të fundit po e merr më qafë Shqipërinë, kryeministri Edi Rama e sheh dhe me pozivitet këtë që po ndodh.

“Kush e vajton emigracionin si e keqe që ka mbërthyer Shqipërinë, e ka gabim. Kemi arritur shumë falë emigracionit, në dije, eksperiencë dhe kulturë. Fatkeqësia jonë është që e kalojmë këtë proces në një kohë ku gjithçka është online, ku dhe një grabitje në një fshat të Europës bën lajm. Të tjerët e kanë kaluar në kohëra të tjera. Nuk ka asnjë vend të zhvilluar sot që nuk e ka kaluar periudhën e emigracionit”, tha Rama në konferencën “Sfida e migracionit”.

Atë që po ndodh me shqiptarët, sidomos nën qeverisjen e tij ku shumë po preferojnë ikjen, Rama e ka konsideruar si diçka normale. Sepse, sipas tij, kjo gjë po ndodh kudo.

“Në të gjitha vendet e reja të BE-së, Poloni dhe Kroaci për shembull, shohim se njerëzit largohen për të njëjtat arsye. Vetëm vitin e kaluar, nga Kroacia janë larguar plot 50 mijë njerëz, 90% e të cilëve të rinj. Por, ndryshe nga ne, ata nuk shënohen si azilkërkues sepse janë forca të lira pune që lëvizin për mundësi më të mirë punësimi dhe për integrim shoqëror në një vend më të zhvilluar të BE-së”, u shpreh i pari i vendit.

Nga ana tjetër, ambasadorja gjermane në Tiranë, Susan Shultz, tha se të gjithë azilkërkuesit do kthehen…edhe me forcë.

“Shqipëria është një vend kandidat i BE dhe nuk është një vend me persekutim politik, që ishte një nga arsyet për të dhënë azil dhe do të kthehen në Shqipëri edhe nëse duhet me forcë dhe do të ndalohen të hyjnë në Gjermani deri në 5 vjet”, theksoi përfaqsuesja e diplomacisë së Berlinit në Tiranë.