Home LAJME Shqiptarët dyfish më pak shkolla se maqedonasit

Ndryshimi i kushteve në të cilat shkollohen nxënësit varësisht gjuhës në të cilën e zhvillojnë mësimin – nuk është vetëm një perceptim mbi bazën e paraleleve të ngarkuara më tepër se sa duhet apo edhe të shkollave që punojnë në dy dhe tre ndërrime kur janë në pyetje nxënësit shqiptarë, shkruan gazeta Koha. Ky fakt verifikohet edhe me të dhënat zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS) në analizën mbi numrin e shkollave dhe hapësirave që ndajnë nxënësit në rajone të ndryshme.

Nëse krahasohen rajoni i Pollogut me kryeqendër Tetovën dhe ai i Pellagonisë me kryeqendër Manastiri, do të vijmë në konstatimin se rajoni i parë (i banuar kryesisht me shqiptarë) ka dyfish më pak hapësira shkollore se rajoni i dytë (i banuar kryesisht me maqedonas). Për rrjedhojë nxënësit shqiptarë nga njëra anë dhe nxënësit maqedonas nga ana tjetër mësojnë në kushte krejtësisht të ndryshme edhe atë me dallime drastike.

Konkretisht, të dhënat e ESHS-së për ndarjen e hapësirave shkollore në nivelin e arsimit të mesëm për vitin 2016 tregojnë se në rajonin e Pellagonisë ka 23 objekte, në të cilat zhvillohet mësimi, kurse në rajonin e Pollogut – 24 objekte. Mirëpo, Tetova ka dyfish më tepër nxënës se Manastiri. Konkretisht, sipas Entit të Statistikave, në vitin shkollor 2016 vetëm Tetova kishte 4060 nxënës në shkollat e mesme, ndërsa Manastiri 2113 nxënës.

Në rajonin e Pollogut bie edhe qyteti i Gostivarit me numër gjithashtu të madh nxënësish të shkollave të mesme, konkretisht me 2322 nxënës, kurse në rajonin e Pellagonisë – krahas Manastirit, qytet tjetër i madh është Prilepi me 1781 nxënës. Nëse i krahasojmë të dyja këta rajone, duke i gjykuar vetëm në bazë të numrit të nxënësve të qyteteve kryesore, pra Tetovën dhe Gostivarin bashkë në njërën anë si dhe Manastirin dhe Prilepin në anën tjetër, i bie që të kemi 6382 nxënës përballë 3894 nxënësve.

Shifrat tregojnë për një diferencës prej rreth 2500 nxënës, ndërsa të dyja rajonet kanë numër thuajse të barabartë objektesh shkollore, pra 23 rajoni i Pellagonisë dhe 24 i Pollogut. Shpërndarje jo e drejtë vërehet edhe në numrin e shkollave si subjekte juridike, ku në Tetovë dhe Gostivar kemi 11 subjekte juridike, ose njëlloj sa në Manastir dhe Prilep, pavarësisht faktit se kemi rreth 2500 nxënës më tepër.

Rajoni me numrin më të madh të shkollave dhe objekte shkollore të mesme është ai i Shkupit, ku krahas 26 shkollave të rregullta të mesme, janë edhe katër shkolla speciale dhe dy shkolla të mesme fetare. Vijnë pas saj rajoni i Pollogut (24), Pellagonisë (23), rajoni Lindor me kryeqendër Shtipin (18), rajoni Jugperëndimor me kryeqendër Ohrin (16), rajoni i Vardarit me kryeqendër Velesin (15), rajoni Verior me kryeqendër Kumanovën (14) dhe rajoni juglindor me kryeqendër Strumicën (11). Në rrjetin e institucioneve arsimore të nivelit të mesëm bie në sy mungesa e tyre në disa komuna, konkretisht në 23 komuna nga 81 gjithsej.

Dallimet nuk mungojnë as këtu. Komuna me popullsi kryesisht maqedonase që nuk kanë shkolla të mesme janë me numër shumëfish më të vogël nxënësish se komunat që banohen me popullsi kryesisht shqiptare. Konkretisht, nuk kanë shkolla të mesme komunat maqedonase si Konçe, Pehçeva, Pllashica apo Rosomani me nga 279, 210, 337 dhe 399 filloristë gjithsej. Por komunat kryesisht shqiptare si për shembull Studeniçani dhe Haraçina – kanë nga 2043, respektivisht 1060 nxënës të shkollave fillore. Do të thotë se numri potencial i nxënësve kandidatë për regjistrim në shkollën e mesme në komunat maqedonase është disa herë më i vogël se numri i nxënësve kandidatë në komuna shqiptare./Koha