Home LIFESTYLE Shpërthim pranë ambasadave në Kabul, 80 të vdekur, 350 të plagosur

Të paktën 80 persona janë vrarë dhe më shumë se 350 janë plagosur në një shpërthim të fuqishëm në mëngjesin e sotëm në qendër të kryeqytetit të Afganistanit, në Kabul. Një zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë ka thënë se numri i viktimave mund të rritet. Shpërthimi ka ndodhur afër pallatit presidencial dhe ambasadave të huaja, ka bërë të ditur policia.

Zëdhënësi i policisë, Basir Mujahid, ka thënë se shumë persona janë vrarë dhe plagosur afër hyrjes së Ambasadës Gjermane.

“Ishte një makinë-bombë afër Ambasadës Gjermane. Është e vështirë të thuhet se cili është objektivi i saktë”, ka thënë Mujahid.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetit Publik, ka thënë se qindra persona janë dërguar në spitalet në Kabul pas shpërthimit. Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Grupi ekstremist Shteti Islamik ka qenë përgjegjës për sulmet e fundit në kryeqytetin afgan, duke përfshirë edhe një shpërthim të fuqishëm që synonte karvanin e armatosur të NATO-s që vrau të paktën tetë persona dhe plagosi shume të tjerë.

Provinca e Kabulit ka aktualisht numrin më të madh të viktimave në tre muajt e parë të vitit 2017, si shkak i sulmeve të shumta në qytet.