Home LAJME SHBA, 5 miliardë $ kundër terrorizmit

Presidenti amerikan Barack Obama ka njoftuar investimin e 5 miliardë dollarëve në “fondin e partneritetit kundër terrorizmit”, për të ndihmuar edhe vende të tjera për të luftuar fenomenin.

Paratë do të ndihmojnë vendet në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azinë Lindore. Obama njoftoi planin gjatë një vizite në Akademinë Ushtarake të West Point, teksa prezantonte vizionin e ri për politikën e jashtme.

Fundi i misioneve luftarake në Afganistan në fund të vitit do të krijojë mundësinë për t’i përqendruar burimet diku tjetër ku kërcënimet janë në rritje, deklaroi Obama.

“I bëj thirrje Kongresit që të mbështesi fondin e partneritetit kundër terrorizmit prej 5 miliardë dollarësh, që do të na mundësojë trajnimin, ndërtimin e kapaciteteve dhe stabilizimin e vendeve partnere në vijat e frontit”, deklaroi Obama.

Paratë do të shpenzohen për misione si stërvitja e forcave të sigurisë në Jemen, mbështetja e forcave shumëkombëshe për ruajtjen e paqes në Somali, bashkëpunimin me aleatët evropianë për trajnimin e forcave të sigurisë në Libi dhe për të ndihmuar operacionet franceze në Mali, saktësoi shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Sa i përket luftës civile në Siri, presidenti premtoi se do të “ngrejë mbështetjen” për opozitën ndaj presidentit Bashar al Assad, edhe pse nuk dha detaje konkrete mbi kuptimin e deklaratës së tij.

Fjalimi i tij synonte prezantimin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara, si një politikë që parashikon përdorimin e forcës kur është e domosdoshme dhe që fillimisht vepron bazuar në një platformë të konsensusit ndërkombëtar.

“Ne duhet të zgjerojmë veprimet tona për të përfshirë diplomacinë, zhvillimin e sanksioneve dhe izolimin, apelet për zbatimin e ligjeve ndërkombëtare dhe, nëse do të jetë e nevojshme, aksione ushtarake të gjithanshme”, tha Obama.