Home LAJME Serbia po u’a konfiskon shtetësitë shqiptarëve të Luginës

Lëvizja për Integrimin e Luginës së Preshevës, zyrtarisht sot ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve të qytetarëve në Luginë të Preshevës dhe të atyre që jetojnë brenda territorit të Kosovës.

Vendimi paraprak i 16 tetorit për fillimin e këtij peticioni, ka nxitur kryesinë dhe anëtarësinë e gjerë të Lëvizjes që të informojë dhe organizojë njerëzit në terren për fillimin e mbledhjes së nënshkrimeve, si veprim për të alarmuar institucionet relevante të Bashkimit Evropian, për të parandaluar veprimet e Serbisë, për shpërnguljen e shqiptarëve në tri komunat shqiptare të Lugines së Preshevës.

Gjatë takimit të kryesisë, kryetari i Lëvizjes z. Fatmir Arifi tha: “…strategjive të ideuara dhe të implementuara në kohë të ndryshme të Serbisë për shpërnguljen e shqiptarëve, u shtohet edhe kjo formë e re e spastrimit etnik, duke ndikuar në ndryshimin demografik të këtyre territoreve shqiptare. Po ashtu z. Arifi shtoi se faktet në terren po na mësojnë se në strategjinë shterërore serbe asgjë nuk ka ndryshuar nga e kaluara e tyre. Në tezat e tyre nuk ka asgjë të re, asgjë që nuk është thenë para një shekulli nga pararendësit e tyre. Synimi primar i politikave shtetërore serbe është shumë i qartë: sa më pak shqiptarë në Luginë të Preshevës.

Veprimet të cilat kemi arritur t’i identifikojmë këto 4 vitet e fundit janë:

• fshirja nga librat amë e vendbanimeve apo adresave (aty ku kanë lindur, jetuar dhe ende i kanë shtëpitë)

• pamundësia e rregullimit të dokumentacioneve personale (certifikata e lindjes, letërnjoftimi, pasaporta dhe nënshtetësia)

Arifi gjithashtu kërkoi nga të pranishmit që të informojnë aktivistët dhe qytetarët për këtë iniciativë dhe t’u sqarojnë për qëllimin e saj. Sipas tij, veprimet e mëtutjeshme do të jenë: informimi i subjekteve politike dhe krerëve institucionalë lokalë të komunave në Luginë, ku nga ata do të kërkohet qëndrim i prerë për përkrahje apo mospërkrahje të këtij peticioni”.

Lëvizja për Integrim njofton të gjithë qytetarët e Luginës së Preshevës, të cilët janë gatshëm që përmes nënshkrimit të tyre ta mbështesin këtë peticion, fletënëshkrimi gjendet në zyrat e Lëvizjes për Integrim të Luginës së Preshevës pranë sheshit “Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha” në Gjilan si dhe në grupet e aktivistëve të cilët janë të autorizura për mbledhjen e nënshkrimeve.

Të drejtën për ta nënshkruar këtë peticion e kanë vetëm qytetarët e komunave të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. (INA)