Home LAJME Selimi: Të ndërrohet qeverisja që stagnoi Lipjanin

Fitim Selimi, kandidat i Iniciativës Qytetare për Lipjanin, ka thënë se qeverisja e Lipjanit duhet të ndërrohet, pasi sipas tij, Lipjani ka stagnuar. Ai ka thënë se me qeverisjen e tij Lipjani do të ringjallet.

Sipas Selimit Lipjani nuk ka arsim cilësor, nuk ka aktivitete kulturore, dhe zhvillim ekonomik.

“Unë nuk po e shoh që në aspektin që e përplotnon vetëdijen tuaj ka ecur Lipjani. Lipjani ka stagnuar, më vjen keq që ndër konstatimet e para është që këtu qytetërimi është i vonuar por për fat qytetarët janë këtu, dhe do të ringjallet gjithçka”, ka thënë Selimi.

Gjithashtu, Selimi ka thënë se ai dëshiron që së bashku me qytetarët t’iu dal ballë veprimeve të cilat nuk kanë lejuar zhvillimin e Lipjanit, që nga çerdhet, shkollat dhe në të gjitha institucionet dhe hapësirat ku qarkullojnë njerëzit.

“Është një ndershmëri e fjetur gati e vdekur si rezultat i këtyre veprimeve të cilat nuk lejojnë të ngrisim kokën dhe të ecim. Ne deshëm bashkërisht që të dalim ne ballë të kësaj ndershmërie të fjetur dhe atë ndershmëri ta pajisim me ndershmëri pushtetare në mënyrë që atë ta fusim, ta instalojmë kudo nëpër institucionet tona përtej çerdhes, shkolla, rrugë kudo në hapësirat ku qarkullojnë e punojnë njerëzit tanë”, ka thënë Selimi.

Ndryshe Fitim Selimi, së bashku me Iniciativën Qytetare të Lipjanit, është në koalicion edhe me dy parti të tjera, me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Dardanisë.