Home LAJME Sa shqiptarë jetojnë në botë?

Pavarësisht regjistrimeve zyrtare të popullsisë që bëhen në Shqipëri dhe Kosovë, asnjëherë nuk dihet sa shqiptarë ka në botë për shkak të shpërnguljeve të vazhdueshme ndër vite.

Megjithatë mund të thuhet se nuk ka vend në botë ku nuk jeton së paku një shqiptar. Besfort Axhanela ka ideuar një projekt përmes të cilit synon të identifikojë të gjithë shqiptarët në botë, duke i mbledhur në një bazë të dhënash që quhet “Një Komb”.

Projekti është një faqe interneti që “njekomb.com” dhe ku për tre muaj janë regjistruar mbi 430 mijë shqiptarë. Axhanela ka treguar për Top Channel idenë e tij dhe synimin e projektit.

“Ideja për ta filluar këtë projekt ka ardhur si rezultat i faktit që jam i sigurt se mbi 95 për qind e shqiptarëve e kanë pasur në mendje që sa herë kanë shkuar diku jashtë kanë pyetur veten së paku njëherë: sa shqiptarë janë këtu? Domethënë, krejt kjo ka ardhur si nismë e fillimit të këtij projekti. Projekti ynë njëkomb.com është projekt që synon të identifikojë të gjithë shqiptarët nëpër botë dhe ku ndodhen ata”, tregon ai.

Për pak muaj punë, projekti i Besfort Axhanelës ka identifikuar shqiptarët në shumicën e vendeve të botës.

“Përveç Kosovës dhe Shqipërisë që janë identifikuar, në Turqi ka shumë, janë rreth 100 mijë shqiptarët e identifikuar. Nuk i di numrat e saktë por në bazë të disa të dhënave, më pas vjen Zvicra, Gjermania, SHBA-të, Italia, Greqia. Shteti i vetëm që nuk ka asnjë shqiptar të identifikuar është Mianmari në Azi”, thotë Axhanela.

Ideatori i këtij projektit ka planifikuar që për festën e nëntorit të mbledhë në një vend edhe atmosferën festive që bëjnë shqiptarët kudo ku jetojnë.

“Më 28 nëntor pritet të lançohet një ‘news feed’ në faqe ku njerëzit do të kenë mundësi të hynë dhe të postojnë fotografi për mënyrën se si janë duke e festuar 28 Nëntorin”, tregon ai.

Mënyra e regjistrimit në projektin njekomb.com është shumë e thjeshtë dhe bëhet qoftë përmes e-mailit apo edhe përmes llogarisë së Facebook-ut. Themeluesi i këtij projekti ka për qëllim që kur të regjistrohen shumica e shqiptarëve të nxjerrë statistika rreth profesioneve dhe mundësi të tjera të dhënash që i mundëson projekti. /tch