Home LAJME Rusët kërcënojnë: Në rast lufte, lehtë e pushtojmë Kosovën dhe e mbyllim...

Konflikti i armatosur midis Rusisë dhe NATO-s është i mundur në të ardhmen e afërt, nëse palët nuk kërkojnë kompromis. Për këtë shkruan në Financial Times, profesori i konfliktologisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin George Mason, Dennis Sandole.

Sipas tij, zgjerimi i vazhdueshëm i NATO-s në Lindje dhe planet për të përfshirë Gjeorgjinë dhe Ukrainën në bllok, do ta vënë Rusinë në një rrugë qorre, shkruan portali Webtribune. Për këtë paralajmëron edhe eksperti i Qendrës për hulumtime ushtarako-politike në Moskë, Mihail Aleksandrov, që thotë se gjasat për luftë janë të mëdha, porse njerëzit duhet të gjejnë mënyra për t’u shmangur nga kjo.

“Rusia lehtë mund të futet në Ballkan, duke shkelur Bullgarinë dhe Rumaninë. Është e mundur aleanca me Serbinë që bashkërisht të pushtohet Kosova dhe Mali i Zi. Faktikisht, kështu do ta mbyllnim NATO-n në gjysmëhark. Pra, kemi gjasa të mira”, tha ai, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, Rusia ka 10 mijë tanke në Ural dhe se i duhet pak muaj për t’i vënë në gjendje gatishmëria. Ai shton se përderisa NATO mund të ketë një milionë ushtarë, rusët mund t’i kenë 2-3 milionë, mund të mbrohen dhe të godasin cilindo cak në Evropë.

“Rusia kontrollon pjesën më të madhe të resurseve të botës, ka territor të madh dhe ka potencialin më të madh nuklear. Po të ishte dëshira e tillë, do të mund të shkatërronim Evropën dhe SHBA-të. Stalini nuk i kishte këto mundësi, por ne i kemi”.

Sipas Kostanin Sokolovit, nënkryetar i Akademisë për ndryshime gjeopolitike, duket ashiqare qëllimi i Perëndimit për ta goditur Rusinë.

“Çështja është vetëm karakteri i luftës”, thotë ai, duke shtuar se në luftën e re nuk do të ballafaqohen Rusia e Perëndimi, por shumë grupe sociale.

“Armik nuk është amerikani ose anglezi i rëndomtë, por pronarët e kapitalit të madh financiar. Ata kanë zgjedhur të përçajnë popujt. Oligarkia botërore nuk duhet të mendojë se është e sigurt. Këtë duhet ta kuptojnë banorët e Perëndimit dhe të Rusisë”, thotë ai.