Home LAJME Rruga Bllagoja Toska në Tetovë vazhdon të jetë nën pellgje uji

Rruga e ndërtuar “Bllagoja Toska” muaj më parë nga Komuna e Tetovës është mbushur me ujë. Banorët e kësaj lagjeje shprehen të revoltuar se rregullimi i rrugës është bërë sa për sy e faqe, transmeton Alsat M. Ata thonë se sa herë që bie shi, këtu formohen pellgje e liqene artificial, që përfundon nëpër bodrumet e shtëpive të tyre.

Banorët e lagjes “Bllagoja Toska” kërkojnë sërish ndihmën e komunës, që drejtuesit të vijnë ta shohim situatën më mirë, dhe ta rregullojnë atë.

Rruga “Bllagoja Toska” ka vite që kërkohet nga banorët e kësaj lagjeje, por gjithnjë has në vesh të shurdhër, ose ndodh kështu, arnohen disa gropa por problemi nuk zgjidhet përfundimisht. Kjo rrugë është tejet e frekuentuar, për shkak se lidh një pjesë të qytetit me Universitetin Shtetëror të Tetovës, si dhe shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës.