Home LAJME Rreth idesë së Unionit Ballkanik

U bënë disa ditë që ideja e propozuar zyrtarisht nga ministri i Jashtëm i Malit të Zi për formimin e një bashkimi “formal” bashkëpunues midis gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor është në fokus të mediave dhe të politikës shqiptare, sidomos në Prishtinë.
Për realizimin e këtij bashkimi apo, siç pëlqehet të thuhet, unioni, propozohet krijimi i një asambleje të përbashkët parlamentare, i një tregu të përbashkët ekonomik, si dhe bashkëpunim në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Propozohen edhe mekanizmat institucionalë, që do të mundësojnë arritjen bashkërisht të këtyre objektivave. Të gjitha kërkohen, sipas deklaratave publike të ideuesve, për të krijuar “një qasje të re bashkëpunuese me interes të ndërsjellë për të gjithë rajonin, bashkëpunim i cili bazohet në aspiratat e popujve të rajonit për një të ardhme të sigurt euroatlantike”.
Tashmë dihen qëndrimet mediatike, qytetare dhe politike të Kosovës ndaj kësaj ideje. Dihet gjithashtu edhe pozicionimi i ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë gjatë takimit në Nju Jork me homologun e tij të Malit të Zi. Nga sa kam kuptuar unë deri tani, qëndrimi i Kosovës, por dhe i Shqipërisë, nëse nuk mund të konsiderohet mohues është dukshëm dhe ndjeshëm shumë dyshues. Kam arritur në këtë përfundim për disa arsye.
Nuk ndikohem aspak nga supozimi i ringjalljes së ish -Jugosllavisë, sepse historikisht asnjë organizëm shtetëror nuk është ringjallur. Ish -Jugosllavia, e krijuar gati 100 vjet më parë artificialisht me “ argumentin” nacional dhe që u shpërbë dhunshëm, kurrsesi nuk mund të rikrijohet tani me gati gjysmën e popullsisë josllave. Supozimi për krijimin e ish- Jugosllavisë nuk më shqetëson. Ai është i pamundur!
Më shqetëson synimi i padeklaruar i idesë malazeze, që u bë kur dihet se Serbia dhe Bosnjë Hercegovina nuk e njohin ende pavarësinë e Republikës së Kosovës, të njohur aktualisht nga 103 shtete. Në Bosnjë Hercegovinë dhe në Kosovë janë të pranishme dhe vepruese forca ndërkombëtare në mbrojtje të rendit dhe tërësisë territoriale. Dy qytetet Mitrovica dhe Mostari, diku edhe dhunshëm, vazhdojnë të mbeten, jo vetëm në ndjesi, por edhe realisht të ndara. Plagët e dukshme dhe të padukshme të luftës brenda Jugosllavisë për zhbërjen e saj mbajnë ende të freskëta emrat: Vukovar, Srebenicë, Prekaz, Reçak.
Procesi i prishjes së “Jugosllavisë” ende vazhdon. Deri tani nuk është arritur njohja e Kosovës shtet nga Serbia. Ende nuk është konsoliduar botërisht statusi i Republikës së Maqedonisë (për hatër të emrit të papëlqyer nga Greqia). Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në OKB, është i vështirë, sepse Serbia, që natyrshëm, ka më shumë njohje dhe peshë ndërkombëtare se sa ne, e bllokon këtë proces. Bosnjë Hercegovina vazhdon të mbetet nën përkujdesjen ndërkombëtare, sepse ekziston Republika Sërpska.
Kosova ende nuk është formësuar e konsoliduar, nuk ka ligjëruar kufijtë e saj, ndaj nuk është e barabartë për t’u inkuadruar në bashkësinë e gjashtë shteteve. Të njëjtën gjë mund ta them edhe për Bosnjë Hercegovinën, si dhe për Maqedoninë , që ka mbetur peng i pretendimeve për emrin e shtetit(ndoshta është dhe një paradoks botëror). Nuk mund të bashkohen të pabarabartët, gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor duhet të hynë në këtë bashkim të barabartë që të ndihen dhe të jenë pjesë e së tërës. Ideja e hedhur nga përfaqësuesi i shtetit më të vogël në të quajturin Ballkani Perëndimor, nga ministri i Jashtëm malazias, u përshëndet dhe u mbështet nga z. Fyle.
E mirëkuptoj këtë mbështetje, sepse është rrjedhojë jo vetëm e shqetësimit evropian të fillim shekullit të 20-të për Ballkanin që u etiketua si fuçi baruti, por dhe i viteve 90-ta, të po atij shekulli, kur zhbërja e Jugosllavisë shënoi gjakosjen më të madhe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Evropa e Bashkuar, prezente dhe vepruese, në shprishjen e Jugosllavisë , pas anëtarësimit të Sllovenisë dhe Kroacisë, dëshiron dhe kërkon “qetësi” në pjesën e mbetur. Por besoj se “hedhja e jorganit” mbi një proces unifikimi, që në rastin më të mirë mund të jetë i paefektshëm aktualisht do të jetë i realizueshëm në një perspektivë kohore, politike dhe zhvillimore jo të largët. Ne, shqiptarët, kudo në trevat tona etnike, duke u ndjerë të shmangur nga organizmat ndërshtetërore edhe të koniukturave politike evropiane e botërore për anëtarësim në Lidhjen e Kombeve dhe në OKB, jemi tejet të prirë për t’u integruar në organizmat rajonale, kontinentale dhe botërore.
Ne shqiptarët jemi autoktonë, ndaj shpirtërisht dhe emocionalisht afrohemi dhe ndihemi më afër Brukselit. Është shtysë psikologjike, logjike e farkëtuar në shekuj dhe objektiv qytetar e politik, inkuadrimi i natyrshëm dhe i merituar i Republikës së Kosovës në BE. Pavarësinë e fituam me përpjekjet tona dhe me mbështetjen e gjithë-anshme të Bashkësisë Ndërkombëtare. Anëtarësimin në OKB, firmosjen e MSA-së dhe rrugëtimin drejt anëtarësimit në BE do synojmë t’i bëjmë në bashkëpunim me fqinjët duke intensifikuar e fuqizuar rrugët dhe fijet e integrimit në interes reciprok, por kurrsesi të bashkimit dhe unifikimit në kushte pabarazie. Është fals, nëse nuk është hileqar një union i “ barabartë ” mes metropolit dhe kolonisë, në kushtet kur kolonizatori nuk ia ka njohur as formalisht pavarësinë.
Është thënë nga politikanët shqiptarë se nuk i duhet dhënë shpejt përgjigje këtij propozimi. Nuk mund ta vë në dyshim fjalën e urtë që thotë se “pyet shtatë herë dhe pre një herë”. Por, mendoj se kjo porosi vlen për ata që nuk dinë, që u mungon përvoja. Kurse për ne, shqiptarët e Kosovës që i njohim mjaftueshëm përvojat në raport me serbët, mendoj se jo vetëm që nuk është e vlefshme, por është tepër e dëmshme.