Home LIFESTYLE Re dhe rrena

Nga Enver Robelli

Presidenti dhe biznesmeni, Donald Trump, ka një problem madhor: mbi kokën e tij po errësohet një re – një re ruse, nga e cila mund të bjerë breshër, i cili mund të shkatërrojë themelet e presidencës së Trumpit. Diçka e tillë s’ka ndodhur kurrë në historinë amerikane: një president ballafaqohet me aq shumë akuza ende pa u akomoduar në post. Për shërbimet sekrete amerikane (dhe askush nuk mund të thotë se shërbimet amerikane nuk janë efikase) është e qartë se kryetari rus, Vladimir Putin, dhe ushtria e tij e internetit janë përpjekur në mënyra të ndryshme të dëmtojnë kandidaten demokrate për presidente Hillary Clinton, të sabotojnë fushatën elektorale dhe demokracinë amerikane, të dëmtojnë besimin e qytetarëve amerikanë në shtetin funksional dhe – mbi të gjitha – qëllimi i rusëve ka qenë t’i hapet rruga drejt Shtëpisë së Bardhë Donald Trumpit, i cili ka një raport të çrregullt me të vërtetën, i cili sillet si një adoleshent dhe të cilit i mungojnë njohuritë elementare të funksionimit të politikës botërore, të aleancave dhe grupeve të interesit. Me një president të tillë, ky ishte kalkulimi rus i menduar mirë, mund të manipulohet në parketin e politikës botërore. «Donald Trumpi është një 13-vjeçar në trupin e një 70-vjeçari», ka thënë David Cay Johnston, i cili ka shkruar një biografi të Trumpit.

Dyshimet se ekipi elektoral i Trumpit ka mbajtur kontakte me palën ruse, e cila po godiste demokracinë amerikane, janë të mëdha dhe kanë potencial të iniciojnë procedurën për shkarkimin e presidentit. Kjo është edhe arsyeja që Trump s’po arrin të maskojë nervozizmin e tij, të cilin ia servon publikut disa herë gjatë ditës në trajtën e 140 shkronjave në Twitter.

Javën që shkoi në lidhje me Donald Trumpin dhe njerëzit e tij, mënyrën se si sillen ata dhe mbi dyshimet për kontakte të dëmshme me rusët dëshmoi në një mbledhje të hapur të Komisionit të Shërbimeve Sekrete të Senatit, James Comey, ish-shef i FBI-së, Zyrës Federale të Hetimeve. Comey është përzënë nga detyra pa asnjë respekt nga ana e presidentit. Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» e krahasoi përjashtimin nga puna të Comey me metodat e mafies: «Një letër e shkruar me tërbim, e dorëzuar në portën e ndërtesës së FBI-së nga truproja e dyshimtë personale e Trumpit, thua se presidenti amerikan është shef i Cosa Nostras, i cili një tradhtari i lë te dera një peshk të ngordhur».

Çfarë tregoi Comey para Komisionit të Shërbimeve Sekrete të Senatit mbi bisedat e tij me Trumpin, lë përshtypjen e një presidenti të paaftë për të qenë president. Comey tha se kishte biseduar nëntë herë me Trumpin mbi atë që po quhet «afera ruse» dhe vazhdimisht presidenti ishte përpjekur t’i frenonte hetimet e FBI-së. Së paku, tha Comey, kjo ishte përshtypja që kishte fituar nga bisedat me Trumpin, i cili shpesh ankohej se mbi presidencën e tij po rrinë si një re e zezë hetimet mbi lidhjet e ekipit të tij elektoral me qarqe të Kremlinit.

Më 27 janar, pak ditë pasi kishte marrë çelësat e Shtëpisë së Bardhë, Trump e kishte ftuar për darkë drejtorin e atëhershëm të FBI-së, James Comey. Pas ftesës për darkë fshihej një kërkesë krejt e pandershme nga presidenti: nga njëri prej zyrtarëve më të lartë të shtetit për çështje të sigurisë Trumpi kërkoi besnikëri pa asnjë kusht dhe lojalitet («Më duhet lojaliteti, pres lojalitet»). Comey ishte kundërpërgjigjur: «Do të jem përherë i sinqertë ndaj jush». Trump: «Pikërisht këtë e dua, lojalitet të sinqertë».

Këtu shihet se dy burra, njëri diletant, tjetri profesionist, flasin për çështje të ndryshme dhe interesa të ndryshme. Trump kërkon lojalitet dhe kjo domethënë se në rast se hetimet në «aferën ruse» mund të dëmtojnë reputacionin e presidentit, shefi i FBI-së do të duhej t’i ndërpriste ato. Një kërkesë e tillë nuk është bërë nga Trumpi në mënyrë eksplicite, por nga ajo që kishte thënë gjatë takimeve një gjë e tillë nënkuptohej. Ndërsa Comey thoshte atë që e thotë një profesionist i përgjegjshëm: zoti president, unë do të jem i sinqertë ndaj jush. Natyrisht kjo domethënë se shefi i FBI-së do të ishte i sinqertë ndaj presidentit edhe kur rezultatet e hetimit nuk do të ishin të favorshme për bosin e Shtëpisë së Bardhë.

Comey me pak fjalë i dha një goditje të rëndë Trumpit, duke e paraqitur si president që lakon ligje, gënjeshtar, pa kredibilitet, pa respekt para ligjit. Totalisht demaskuese ishte edhe kjo: Comey tha se kishte mbajtur shënime dhe e kishte hedhur në letër përmbajtjen e bisedave me Trumpin. «Isha i detyruar ta bëja këtë, sepse nuk e dija nëse zoti Trump më vonë do të tregonte gënjeshtra për atë që kishim biseduar». Përndryshe, shtoi Comey, këtë nuk e kishte bërë pas bisedave me presidentin George W. Bush dhe me presidentin Barack Obama. Mesazhi ishte i qartë: dy presidentët paraardhës të Trumpit janë burra të ndershëm, ndërsa një gjë e tillë s’mund të thuhet për komandantin e zonës operative Twitter.