Home LIFESTYLE Rastësia e qëllimshme

Nga Flaka Surroi

Zyrtarisht nuk jemi në fushatë. Ama fushata ka nisur qysh në fillim të vitit me spotet e Kadri Veselit, për të ardhur te pika ku krejt flasin për zgjedhje; ku pothuajse askush nuk ka kohë të merret me punët e veta të përditshme (kjo vlen kryesisht për institucionet) dhe aty ku shumë gjëra ndodhin ashtu si kalimthi, si pavërejtshëm.

As kjo javë nuk qe më ndryshe sesa e kaluara, me disa ngjarje që mund të kufizohen me skandale (nëse tashmë nuk e kanë marrë këtë përmasë). Dhe që të gjitha janë të lidhura në një mënyrë apo tjetrën me gjyqësinë. Pikërisht me njërin nga sistemet më jofunksionale të shtetit.

Porse është shumë interesante se si, mu brenda periudhës kur krejt vrapojnë për vota dhe krejt përpiqen të na “magjepsin” me premtime dhe me fjalë të odave, ndodhin gjëra të një peshe kaq të madhe. Për mua, që të gjitha janë rastësi të qëllimshme – ngase për to flitet një ditë-dy, dhe më pas harrohen diku nën ndonjë qilim të pluhurosur derisa t’u skadojë afati.

Rastësia e telekomit

Mbase të rralla do të jenë rastet në praktikën gjyqësore kur pala që fiton kontestin heq dorë nga shuma e fituar në kontest. Kjo i ndodhi Kosovës javën e shkuar. Kompania Z-Mobile hoqi dorë prej 30 milionë eurosh dëmshpërblimi nga Telekomi i Kosovës, për shkak se ky i fundit e kishte shkelur kontratën për telefoninë virtuale të nënshkruar para pesë vjetësh.

Të kujtojmë, kontrata e famshme e Dardafonit, siç quhej atëherë, kishte paraparë që telefonia virtuale do të mundë të shfrytëzonte krejt infrastrukturën dhe shërbimet e telekomit, për të krijuar edhe një telefoni paralele, dhe që nga ky biznes t’i fitonte 78% të të hyrave, pa e investuar asnjë cent, pos marketingut dhe blerjes së kartelave. Kontrata nuk përmbante klauzolë për shkëputjen e saj, dhe me gjasë do të ketë pasur edhe shumë elemente të tjera, të cilat publiku nuk i di, me të cilën Telekomi vetes ia krijoi konkurrencën në treg.

Nuk duhet të jesh ekonomist për të kuptuar se kjo kontratë ka qenë jashtëzakonisht e dëmshme për Telekomin, që nuk ka pasur nevojë për një klon që do të pasurohej në krah të tijin. Gazeta ishte marrë shumë gjatë me temën e kësaj marrëveshjeje, që kishte sjellë një procedurë hetimore që, si shumë të tjera në këtë vend, kishin përfunduar pa asnjë veprim kundër atyre që e shkaktuan dëmin.

Se pse tash dikush çohet për t’ia falë Telekomit 30 milionë euro, mbase e di ai që u ka hyrë kalkulimeve se kush çka fiton më së shumti nga kjo fizkulturë. Drejtori i Telekomit thotë se pagesa e këtyre 30 milionëve do të shkaktonte falimentimin e Valës. D.m.th., aq keq i paska punët Vala, sa prej kompanisë më fitimprurëse në vend, tash është shndërruar në kompani josolvente. Pyetjet do të ishin si e pse? Përgjigjet do të mundë të ishin punësimi i pafund i njerëzve që objektivisht nuk kanë çka punojnë aty – për shkak se janë punësime nepotiste. Dhe e dyta, për shkak se dikujt i ka konvenuar që PTK-ja të zhvlerësohet aq shumë, sa do të mundë ta blinte një firmë fantome (sikur ndodhi me përpjekjen e Axos-Najafi), për të cilën tash shteti do të paguajë dënim, sepse vetë e ka shkelur kontratën, të cilën vetë e ka përpiluar.

Pse bash tash arrihet marrëveshja, për të cilën askush nuk e di asnjë detaj – dhe përderisa thuhet se zhvillohen hetimet që nuk kanë nxjerrë asgjë në pah, është mbase lehtë e kuptueshme. Në këtë mjegull interesash e piskamash për të marrë vota e për të planifikuar blerje e vjedhje syresh, askush nuk ka kohë të merret me një kontratë. Madje as Prokuroria e Shtetit.

Rastësia e shefit të Krimeve Ekonomike

Pas shkrimeve të botuara në gazetë për përfshirjen e drejtorit të Krimeve Ekonomike të Policisë në zhvatjen për shlyerjen e hetimeve, u prononcua Inspektorati Policor i Kosovës. Në një deklaratë për publikun, përgjegjësit kishin deklaruar se do të merreshin me rastin e Bacit Emin, porse nuk e kishin vendosur ende nëse ky do të suspendohej apo nëse do të transferohej në një post tjetër. Duke mos dhënë ndonjë datë se kur do të merret vendimi, drejtori do të vazhdojë ta mbajë postin dhe do të vazhdojë ta ketë ndikimin që e ka brenda strukturës policore.

Nuk është rastësi që Inspektorati të ketë reaguar menjëherë pas shkrimit – sepse është në interes të klaneve të organizuara kriminale që të tregojnë se si janë duke e luftuar krimin, ani që janë në fushatë zgjedhore, dhe se ata duan të çkapen nga çfarëdo lidhjeje që do të mundë ta kishin me personat e inkriminuar, të cilët i kanë mbajtur aktivë në këtë veprimtari të leverdishme.

Ndërkohë, Prokuroria që do të duhej të merrej me administrimin e provave shikon seri se si sekseri mbahet në paraburgim, përderisa një zyrtar i lartë policie që merr pjesë në allishverishet dhe jep udhëzime se si duhet vepruar, vazhdon të mbahet në liri. Për më tepër, vazhdon ta mbajë një post tepër të lartë në strukturën e “luftimit të krimit”, pa therrë në këmbë.

Rastësia e shefit të shefave

Pa therrë në këmbë po do që të shpëtojë edhe shefi i shefave. Dje për herë të dytë është dashur të deklarohej rreth rastit “Pronto” – i cili ka zbuluar një skemë të organizuar kriminale të punësimeve dhe ndërhyrjeve në ndërmarrjet publike, me plan dhe paramendim. Dhe në vend se Prokuroria ta trajtojë këtë rast si “krim të organizuar”, ajo ende kufizohet në përkufizimin e “trajtimit të pabarabartë të qytetarëve” dhe broçkulla të ngjashme.

Shefi i shefave, i cili “është në dispozicion të drejtësisë për të sqaruar çfarë do qoftë” për herë të dytë vendos që të mos e thotë asnjë fjalë të vetme. Kështu siç ka vendosur të mos deklarohet, ka mundur të vendoste të mos dilte fare para organeve të gjyqësisë. Porse jo, ka vendosur të paraqitet, jo rastësisht. Duke qenë i përjashtuar nga listat e kandidatëve për deputetë të PDK-së, me paraqitjen e tij dje, do që t’ia japë një argument shefit të tij Kadri Veseli sesi ky nuk ka fare lidhje me Grabovcin dhe me të bëmat e tij. Kështu, Veseli do të paraqitej si njeri që e lufton krimin e korrupsionin duke e sakrifikuar atë që deri para disa javësh ka qenë shef i Grupit parlamentar të partisë që ai e kryeson.

E Prokuroria e Shtetit, ajo e njëjta që nëpërmjet kryeprokurorit kishte deklaruar ende pa nisur çfarëdo hetimi se nuk kishte indice për ndjekje penale, vazhdon ta luajë lojën e “ne po punojmë”. Pa e ndryshuar kualifikimin, e di edhe ajo vetë se ndjekja penale tashmë është parashkruar dhe se do të vijë momenti kur do të heqë dorë nga rasti.

Rastësia e kryetarit të Gjilanit

Do të thotë dikush se është punë oraresh, porse është sërish indikative që në javën kur ia ka nisur fushata ende pa nisur zyrtarisht, del në pah edhe rasti i ish-kryetarit të Gjilanit dhe i 38 personave të tjerë, të akuzuar për krim të organizuar që nga viti i shkuar. Dhe del mbi sipërfaqe në një trajtë mbase të papritur: Gjykata Themelore e Pejës i ka kërkuar prokurorit të rastit që ta precizojë aktakuzën, se përndryshe rasti do të mundë të hidhet poshtë. Tash, pa e paragjykuar fare se kush ka ose nuk ka të drejtë në këtë rast, është paksa shuplakë fytyrës për Prokurorinë, kur dikush që ka fuqi juridike del e thotë “aktakuza nuk është mirë e sajuar”, sepse nuk ka fakte të mjaftueshme mbi të cilat mund të mbështetet.

Kjo të bën të mendosh se ngritja e një aktakuze të këtillë më shumë ka shërbyer për numra – për t’i thënë Evropës sesi jemi duke e përmbushur kushtin e luftimit të krimit (për liberalizim, natyrisht), ani që e dimë se prej kësaj pune nuk ka gjë. Me rëndësi të evidencohet rasti, për të tjerat s’ka pse mërzitet njeri.

Rastësia e ministrave që falën hidrocentralet

Kanë kaluar 14 muaj nga dita kur u zbulua skandali se me shitjen e distribucionit, turqve iu falën edhe katër hidrocentrale – e që për këtë Prokuroria të mos jetë lodhur madje as t’i kontaktonte pesë ministrat që e kanë vendosur këtë punë. Ani që zyrtarisht i ka nisur hetimet, me nëntë muaj vonesë përtej afatit të lejuar me udhëzimin administrativ.

Meqë siç e kanë zakon pushtetarët tanë t’i fshehin dokumentet që i nënshkruajnë, e meqë krejt puna e hidrocentraleve është zbuluar falë punës hulumtuese të gazetarëve, Prokuroria nuk e ka gjetur të arsyeshme të merret fort me këtë rast. Me rastësi të qëllimshme janë tejkaluar të gjitha afatet, ashtu që edhe nëse do të ngrihej ndonjë aktakuzë, do të kishte argumente të mjaftueshme për ta rrëzuar rastin para gjykatës.

Dhe arsyeja për këtë është shumë e thjeshtë: sepse ministrat që i kanë nënshkruar dokumentet, mbase mund të mos e kenë diskutuar fare çështjen e hidrocentraleve; madje mund t’u kenë kaluar hidrocentralet para hundës, pa e ditur se bëhet fjalë për to; ose pse thjeshtë kanë pasur instruksione t’i mbyllin sytë, sepse pazarin për këto asete tashmë e ka kryer dikush më i fuqishëm se ta, por që nuk ka obligim për të nënshkruar asnjë gjë.

Rastësia e ish-kryetarit të Apelit

Rasti i fundit eklatant në javën që shkoi qe vendimi i Gjykatës së Apelit që ta kthejë në rigjykim rastin e krimit dhe korrupsionit për të cilin qe akuzuar ish-kryetari i Gjykatës së Apelit. Me një shkelje të logjikshme që e paraqet konflikti i interesit – kjo lëndë është dashur të trajtohej nga Gjykata Supreme, e jo nga Apeli, që dikur e kishte pasur shef të akuzuarin.

Sidoqoftë, lënda është kthyer në rigjykim, sepse sipas vlerësimit të gjykatës së shkallës së dytë nuk është dëshmuar kryerja e veprës penale. Dhe ky vendim, jorastësisht vjen pasi që, me edhe një shkelje eklatante të parimit të transparencës, gjykimi i ish-kryetarit të Apelit ishte mbyllur për media. Thuajse në atë rast mund të zbulohej ndonjë sekret shtetëror, për të cilin publiku nuk duhet të dijë gjë. Esenca e gjithë këtij muhabeti është se po qe se ky njeri lirohet nga akuza, mund të kthehet sërish në krye të Gjykatës që ia bëri të mundur ta zgjasë veprimin e tij të mëtejshëm drejt të gjithë procesit nga liria.

* * *

Shumë rastësi brenda kaq pak ditësh, që për nga forma e paraqitjes tregojnë për një shabllon veprimi që dëshmon se në këtë shtet ka diçka (shumëçka) të kalbur. Me policë të përfshirë në krim; me prokurorë që kapërcejnë afate dhe me gjyqësi që vepron në baza klienteliste, ky vend nuk do të shohë dritë edhe kush e di sa vjet. Dhe kjo situatë nuk do të ndryshojë përderisa ata që e kanë topitur drejtësinë në këtë vend do ta mbajnë pushtetin. Për shkak se një gjyqësi e tillë vetëm atyre mund t’u shkojë për shtat, përderisa gjithë të tjerët do të vazhdojnë me bindjen se drejtësia përnjëmend është e verbër. Disi rastësisht, e me qëllim.