Home LAJME Rama nesër në Preshevë para lapidarit të UÇPMB-së

Kryeministri Edi Rama do të vizitojë gjatë ditës së nesërme Luginën e Preshevës, për herë të parë si shef i qeverisë shqiptare, pas dy vizitave si kryetar i opozitës.

Entuziazmi i shqiptarëve të Preshevës duket që në hyrje të komunës. Banerat ku shkruhet “Mirë se vjen kryeministër” gjenden pothuajse në çdo pjesë të Preshevës, ndërsa përgatitjet për mirëpritjen e kryeministrit Rama janë drejt fundit.

Padurimi i banorëve të Luginës së Preshevës për pritjen e Ramës duket edhe nga deklaratat e tyre, sipas të cilave, Ramën do ta presin sikur të ishte kryeministri i dytë i tyre.

Qytetarët e kësaj pjese, vizitën e Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, e shohin si shenjë pozitive dhe tregon se Shqipëria ka një vendosmëri që “këmba e Shqipërisë të interesohet për qytetarët e Preshevës dhe të bëjë një dialog të mirëfilltë me Serbinë”.

“Siç e dimë, Serbia është gjithmonë diskriminuese ndaj shqiptarëve”, ka thënë një qytetar nga Presheva për “A1 Report”.

Një tjetër thotë se kjo vizitë do të jap mesazhe të mira ndërkombëtare ndërsa thekson se është një hap drejt integrimit të Shqipërisë në BE.

Rama do të rikthehet edhe një herë për t’u përulur para lapidarit të Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, i hequr në mënyrë të dhunshme në vitin 2013.

Më 28 janar të vitit 2012, Rama është përulur para këtyre dëshmorëve, por në cilësinë e kreut të opozitës shqiptare të asaj kohe. Ndërsa vizita tjetër e ish-kreut të opozitës Edi Rama në Preshevë ka qenë më 18 nëntor të po atij viti, kur ai është nderuar me titullin “Mirënjohje e Preshevës”.

Sipas agjendës, pritet që kryeministri Rama të mbajë një fjalim në podiumin e sheshit “Liria” si dhe të kryejë një vizitë në maternitetin e financiar pjesërisht nga qeveria Shqiptare, për të vijuar më tej me vizitë në institucione arsimore dhe biznese.