Home LAJME Putin: Rusinë do të duhet ta braktisin 755 diplomatë amerikanë

putin-700x466

Presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi se 755 diplomatë amerikanë do të dëbohen nga Rusia deri më 1 shtator, që sipas tij  është “sasi e ndjeshme”, transmeton TASS.

“Kjo është e ndjeshme” , tha ai.

Dëbimi i diplomatëve pason sanksionet e miratuara nga Kongresi amerikan kundër Rusisë javën e kaluar.

Përgjigja e Rusisë pritet t’i acarojë më tej tensionet mes Moskës e Uashingtonit. Megjithëse dëbimi i diplomatëve amerikanë ishte njoftuar që të premten, numri i tyre u bë i ditur sot gjatë një interviste të presidentit Putin për radiotelevizionin shtetëror federal.

Putin tha se Rusia mund të shqyrtojë në të ardhmen masa të tjera shtesë kundër Shteteve të Bashkuara si përgjigje ndaj sanksioneve amerikane.

Departamenti i Shtetit përmes një deklarate theksoi se “po analizon ndikimin që do të ketë ky kufizim dhe përgjigjen ndaj tij. Në këtë moment nuk kemi koment tjetër”, thuhet në deklaratë.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të japë numrin e saktë të diplomatëve ose zyrtarëve amerikanë në Rusi, por mendohet që numri të jetë rreth 400, disa prej të cilëve kanë anëtarë të familjeve me pasaporta diplomatike.

Një numër i madh i mbi 1000 punonjësve të misionve amerikane në Rusi, të cilat përfshijnë ambasadën në Moskë dhe konsullatat në Shën Petërsburg, Vladivostok dhe Jekaterinburg, janë punonjës vendas.

Sanksionet e Uashingtonit ndaj Rusisë u vendosën pjesërisht për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, një përfundim i arritur nga agjencitë amerikane të zbulimit, si dhe për ndëshkuar më tej Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014.

Moska tha të premten se Shtetet e Bashkuara kanë afat deri më 1 shtator për të pakësuar personelin diplomatik për të lënë në Rusi vetëm 455 vetë, një numër i barabartë me diplomatët rusë që shërbejnë në Shtetet e Bashkuara.

Në dhjetor Uashingtoni dëboi 35 diplomatë rusë.

Veç pakësimit të numrit të diplomatëve amerikanë, Moska tha të premten se do të mbyllte edhe dy objekte të tjera, një kompleks pushimi në të dalë të Moskës dhe një magazinë që përdoret nga ambasada amerikane.