Home LAJME Provimi për studentët, ndërhyrje e rëndë në autonominë e universiteteve

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) realizoi debatin e hapur me temë: “Eksperimentimi në arsim, nevojë për cilësi apo kontroll shtetëror”. Panelistë në debatin në fjalë ishin profesorët universitarë Biljana Vankovska dhe Jeton Shasivari, ish-ministri i arsimit Aziz Pollozhani, si dhe përfaqësuesi i Plenumit Studentor, Andrej Bogatinoski.

Vlerësim i përgjithshëm i debatuesve ishte se ndryshimet dhe plotësimet e propozuara nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë në Ligjin për arsim sipëror, posaqërisht në pjesën që ka të bëjë me provimin e paraparë shtetëror për studentët, paraqesin ndërhyrje të rëndë në autonominë e universiteteve.

Sipas profesoreshës Biljana Vankovska, veprimi kokëfortë i Qeverisë për miratimin e ndryshimeve të parapara, ka bërë mobilizimin e studentëve, profesorëve dhe shtresave tjera të shoqërisë, duke rezultuar me protesta masovike të studentëve dhe letrën e hapur deri te Qeveria e RM, të nënshkruar nga 110 profesorë të universiteteve të ndryshme vendore.

Sipas ish ministrit të arsimit, Dr. Aziz Pollozhani, reformat e thella në arsim janë praktikë në të gjitha shoqëritë e shëndosha, por kjo kërkon një mirëkuptim dhe bashkëveprim mes faktorëve relevantë që i tangojnë këto reforma, diçka që për fat të keq nuk ndodhi me këto ndryshime dhe plotësime propozuara të Ligjit për arsim sipëror.

Profesori universitar Jeton Shasivari e quajti jashtëplanetar provimin shtetëror të propozuar nga Qeveria, sepse një provim të tillë, në këtë formë të paraqitur, nuk ka askund në botë. Sipas tij, me këtë propozim, shteti në njëfarë mënyre shndërrohet vet në universitet, duke marrë ingerencat e universiteteve ekzistuese dhe goditur rëndë autonominë e tyre. “Në këtë mënyrë, në Maqedoni studentët do të jenë të detyruar të diplomojnë dy herë, një herë para organeve të fakultetit, kurse herën e dytë para institucioneve të shtetit”, konstatoi profesor Jeton Shasivari.

Përfaqësuesi i Plenumit Studentor, Andrej Bogatinoski, shpalosi edhe njëherë qëndrimin e studentëve dhe pakënaqësitë e tyre në lidhje me ndryshimet e propozuara të Ligjit për arsim sipëror, duke paralajmëruar veprime konkrete kundërshtuese gjatë ditëve të ardhshme ndaj këtij vendimi të Qeverisë.