Home LAJME Prokuroria belge: Incidenti në Bruksel është akt terrorist

133744946

Incidenti i mbrëmshëm në stacionin kryesor të hekurudhës në Bruksel, ku patrulla ushtarake ka goditur një burrë i cili me vete mbante një rrip me mjete shpërthyese dhe që kishte planifikuar të vetëvritet, paraqet akt terrorist, kumtoi mbrëmë Prokuroria publike belge.

Prokuroria tani për tani nuk e kumtoi identitetin e sulmuesit të dyshuar, duke shtuar se përveç tij gjatë incidentit nuk ka viktima të tjerë.

Televizioni publik në gjuhën frënge RTBF informon se sulmuesi shpejtë pas incidentit i është nënshtruar plagëve të marra serioze, por ky informacion tani për tani nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Incidenti ka ndodhur rreth orës 21:00, kur një burrë i moshës 30-35 vjeçare ka tentuar të aktivizojë mjetin shpërthyes që e mbante me vete duke brohoritur “Allahu është i madh”, me ç’rast është goditur nga patrulla e ushtrisë belge, pjesëtarët e të cilës më shumë se një vit patrullojnë nëpër rrugët e qyteteve të Belgjikës, për shkak të shkallës së lartë të gatishmërisë për shkak të sulmeve të mundshme terroriste.

Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, sulmuesi ishte shoqëruar nga dy persona të cilët janë në arrati.

Pas të shtëna ishte shkaktuar panik dhe udhëtarët në stacion kishin filluar të iknin drejt daljeve dhe binarëve.

Burimet e sigurimit informojnë se shpërthimi që e ka mbajtur sulmuesi ishte me fuqi të dobët dhe nuk do të mund të shkaktonte dëme të mëdha ose viktima të njerëzve, për çka, sipas tyre, bëhet fjalë për “sulm me buxhet të ulët”.

Dëshmitarët okularë të ngjarjes akuzuan se policia ka arritur në stacion me “vonesë të madhe”, me ç’rast udhëtarët kanë mbetur të bllokuar në objekt, sepse dyert e daljes automatikisht ishin bllokuar.

Së shpejti pas incidentit, stacioni qendror hekurudhor dhe stacionet e metrosë në kryeqytetin e Belgjikës ishin të mbyllura dhe të gjithë të pranishmit u evakuuan, ndërsa linjat e autobusëve u riorientuan. Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, policia i ka bllokuar dhe evakuuar edhe rajonet rreth sheshit Grand Pllac, stacioni kryesor hekurudhor, si dhe galerinë “Sen-Iber”.

Zjarrfikësit belgë kumtuan se kanë intervenuar pasi kanë marrë thirrje për shpërthim me fuqi të vogël në stacionin qendror hekurudhor.

Policia zyrtarisht kumtoi se “kriza është tejkaluar”, ndërsa autoritetet belge konfirmuan se do ta mbajnë nivelin e tanishëm të tretë të gatishmërisë për shkak të sulmeve të mundshme terroriste.