Home LAJME Policia italiane zë anijen me 200 emigrantë sirianë

Autoritetet italiane kanë kapur 200 emigrantë sirianë në një anije në Detin Mesdhe, njoftoi policia e atjeshme të enjten. Rojet bregdetare italiane kanë ndjekur për orë të tëra një anije peshkimi, e cila përdorej për të transportuar emigrantët në ujërat ndërkombëtare në afërsi të brigjeve të Sicilisë.

Sipas njoftimit të policisë, autoritetet kanë zbarkuar 199 emigrantë, në mesin e të cilëve ishin 64 fëmijë, që po iknin nga lufta civile në Siri. Policia tha se trafikantët janë pjesë e një grupi të organizuar kriminal nga Egjipti.

Mijëra emigrantë mundohen të arrijnë brigjet e jugut të Italisë çdo verë, kur dallgët e Detit Mesdhe janë të qeta, gjë që u mundëson anijeve të vogla të depërtojnë lehtësisht nga Libia dhe Tunizi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme italiane, nga data 1 korrik e deri më 10 gusht, afro 9 000 emigrantë kanë arritur në Itali përmes rrugëve detare. Emigrantët ilegalë që zihen nga autoritetet italiane dërgohen në kampe të azilantëve.

Në të shumtën e rasteve, emigrantët largohen nga kampet e “paruajtura” mirë dhe kërkojnë punë, ndërsa të gjithë ata që mbesin dhe nuk mund të vërtetojnë se janë të përndjekur politikisht, mund të riatdhesohen.