Home LAJME Policia e Kosovës: Në Kosovë tani për tani nuk ka rrezik nga...

kosova

Mediat ndërkombëtare kanë raportuar që SHI-ja së fundi ka publikuar një audio mesazh, me të cilin u bënte thirrje simpatizantëve të vet që të kryejnë sa më shumë sulme në SHBA, Rusi, Evropë, Siri dhe në Ballkan gjatë muajit të Ramazanit, raporton KTV.

Ndonëse autenticiteti i audios nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, zëri në të ishte i njëjti sikurse edhe në mesazhet tjera audio që ka publikuar SHI-ja nëpërmes zëdhënësit të vet, Abi al-Hassan al-Muhajer.

Lidhur me këtë, nëpërmes postës elektronike, Policia e Kosovës ka thënë për KTV-në se tash për tash, nuk paraqitet ndonjë rrezik i lartë nga terrorizmi në Republikën e Kosovës.

Policia thekson se duke u bazuar në misionin dhe kompetencat që ka, Policia e Kosovës në vazhdimësi bënë vlerësime të rreziqeve të mundshme në vend dhe në këtë kuadër edhe vlerësimi për rreziqet që mund të vijnë nga terrorizmi apo grupet terroriste, duke përfshirë ekstremizmin e dhunshëm.

“Policia e Kosovës vlerëson se tani për tani nuk paraqitet ndonjë rrezik i lartë nga terrorizmi në Republikën e Kosovës, megjithatë Kosova nuk mund të jetë imune sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluara në Evropë e më gjerë”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Ky audio mesazh është shpërndarë të hënën vonë nga kanali i organizatës terroriste në aplikacionin Telegram.