Home LAJME Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë, Presidenti Nishani shpall listën...

Presidenti i Republikës Bujar Nishani shpalli listën e konkuruesve, të cilët plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Në zbatim të ligit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, pas realizimit të procesit të njoftimit publik për vijimin e procedurave ligjore për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, si dhe pas përfundimit të afatit për shqyrtimin e dokumentacionit të çdo konkurruesi për anëtarë të Gjykatës së Lartë, kreu i shtetit përzgjodhi 37 kandidatë për anëtarë të kësaj Gjykate.

Në një njoftim për shtyp të publikuar në faqen e institucionit të Presidencës sqarohet se 15 prej kandidatëve vijnë nga radhët e gjyqësorit, ndërsa 22 të tjerë nga radhët e juristëve.

Shpallja e listës së konkuruesve, që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë është bërë nga kreu i shtetit me ligjin aktual që është në fuqi dhe jo me ndryshimet e miratuara pak ditë më parë nga shumica parlamentare në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”, që hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Amendimet e ligjëruara përmes 84 votave të deputetëve të maxhorancës në ligjin për Gjykatën e Lartë, që parashikojnë ngritjen e një Këshilli për emërimet në këtë gjykatë, duke kufizuar të drejtën e Presidentit në përzgjedhjen e kandidatëve u konsideruan nga kreu i shtetit Bujar Nishani si një akt thellësisht antikushtetues dhe që ka për qëllim asgjësimin de fakto të institucionit të Presidentit të Republikës.

“Edhe ky ndryshim në ligj, është një akt që vazhdon tendencën e asgjesimit “de fakto” të Presidentit të Republikës dhe kompetencave të tij. Komisioni Europian ka kërkuar që në asnjë ligj që ka të bëjë me sistemin e drejtësisë të mos bëhet pa miratimin e Komisionit të Venecias, gjë që e ka pranuar edhe maxhoranca gjatë takimeve në Bruksel, por në fakt, ajo vijon të ndërhyjë në kopetencat kushtetuese të Presidentit në mënyrë të njëanshme. Maxhoranca politike dhe Komisionet Parlamentare nuk kanë denjuar as t’i ftojnë përfaqësuesit e Presidencës në mbledhjet gjatë fazës së diskutimit për këto shtesa dhe ndryshime, për të dhënë pikëpamjet e tyre”.

Sipas ndryshimeve të bëra nga maxhoranca, Këshilli i Emërimeve për Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë drejtohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë dhe përbëhet, nga Ministri i Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm, Nënkryetari i KLD-së, nga Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe një gjyqtar i Gjykatës së Lartë. Ky Këshill, duhet të miratojë një listë me emrat e kandidatëve për anetarë të Gjykatës së Lartë në momentin kur shpallet një vakancë dhe këtë listë ja dorëzon Presidentit të Republikës, i cili duhet të zgjedhë pikërisht kandidatët nga kjo listë.

Deri më sot, anëtarët e Gjykatës së Lartë zgjidheshin nga Presidenti i Republikës me miratimin nga Kuvendi.

Por, që prej ardhjes në pushtet të maxhorancës së re politike, asnjë prej kandidatëve të propozuar nga Presidenti i Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë nuk është miratuar, duke e lënë me disa mungesa administratën gjyqësore të Gjykatës së Lartë.

Duke parë reagimin Presidentit të Republikës, kuptohet që ai nuk do t’i dekretojë këto ndryshime, por nëse ligji kalon sërish në Kuvend do të jetë Gjykata Kushtetuese vend takimi i përplasjes së radhës mes Kuvendit dhe Presidentit të Republikës.