Home LAJME Përfundon sot fushata e partive politike në Kosovë

614932B5-ADA9-45EB-81D6-85A16910EC18_w640_r1_sPas një muaj fushatë elektorale, sot të gjitha partitë politike në Kosovë kanë ditën e fundit që do të mund t’i bindin qytetarët për t’i votuar, kurse nesër është heshtja parazgjedhore.

 

Rregullsia e zgjedhjeve të 3 nëntorit vlerësohet e një rëndësie jetike, pasi vetëm si të tilla do ta ndihmojnë vazhdimin e përparimit të Kosovës drejt rrugës evropiane, megjithatë prokuroria deri tash ka filluar hetimin për 10 persona të cilët dyshohen se kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin për Zgjedhjet lokale.

Këto zgjedhje për herë të parë në Kosovë mbahen edhe në pjesën veriore të Mitrovicës, ndërkohë do të monitorohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendor e ndërkombëtar. Përgatitjet për zgjedhjet i ka bërë edhe Policia e Kosovës, pjesëtarët e të cilës do të jenë nëpër të gjitha pikat e votimit.

 

Në bazë të Ligjit për Zgjedhje Lokale, elektorati do të zgjedhë anëtarët e kuvendeve komunale dhe kryetarët e komunave në tërë komunat e Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet, Kreu II, neni 7, pika 7.1, secila komunë do të jetë zonë zgjedhore e veçantë. Njëkohësisht, do të mbahet kuota gjinore prej 30 për qind për deputetet e kuvendeve komunale.

 

Për këto zgjedhje, do të përdoren Listat e Hapura. Në zgjedhjet për Kuvende Komunale, votuesi voton për një (1) Subjekt Politik të certifikuar, dhe mund të votojë për një (1) kandidat nga lista e Kandidatëve të këtij subjekti politik. Nëse në fletëvotim janë shënuar më shumë se një (1) kandidat, vetëm vota për subjektin politik llogaritet.

 

Përveç tjerash, për zgjedhjet për kryetarë të komunave, mund të paraqitet nevoja për një raund të dytë të zgjedhjeve, nëse një kandidat nuk fiton shumicën e votave gjatë raundit të parë, e që nënkupton, 50 për qind+1 votë të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme të hedhura në atë komunë, në pajtim me nenin 9.6 të Ligjit për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.

 

Votuesit që jetojnë jashtë Kosovës, kanë mundësi të votojnë përmes operacionit të votimit me Postë.

 

Lista Përfundimtare e Votuesve për vitin 2013, përmban 1. 779. 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetë e tetë (38) komuna, me një rritje prej 191 103 apo 11.72 për qind në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

 

Numri i Qendrave të Votimit (QV) është 798 (52 qendra të reja të votimit nga ato që kanë qenë në zgjedhjet e kaluara), ndërsa numri i vendvotimeve është 2366, me një rritje prej 86 vendvotimeve apo 3.77 për qind nga zgjedhjet e kaluara.

 

Gjithashtu Lista e Votuesve jashtë Kosovës – 2013, përmban të gjithe votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8 383. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara janë 6743 votues më shumë, që janë regjistruar për të votuar përmes postës.