Home LAJME Për Bushatin bashkimi i trojeve shqiptare, i pamundshëm

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në një intervistë për LSEE, e ka quajtur të pamundshëm krijimin e një Shqipërie të Madhe.

Për ministrin Bushati, “Ata që ende mendojnë për Shqipërinë e madhe jetojnë në një tjetër botë”

Ai ka dhënë këndvështrimet e tij mbi një numër çështjesh me të cilat Shqipëria si vend aspirant për në BE duhet të përballet.

Intervista e plotë dhënë LSEE – së

KORRUPSIONI

Progres raporti i fundit i BE-së vuri theksin tek korrupsioni në Shqipëri, si një nga problemet madhore të vendit. Cilat janë masat kryesore që qeveria parashikon të ndërmarrë në të ardhmen për të zgjidhur këtë problem?

E keni parasysh sloganin e famshëm të Nokias, “Nokia connecting people” (Nokia bashkon njerëzit)? E njëjta gjë mund të thuhet dhe për korrupsionin. Ai është një fenomen mjaft i përhapur dhe vendet anëtare të BE-së nuk janë imune ndaj tij. Nuk është hera e parë që korrupsioni ngrihet si një çështje të cilës i duhet gjetur një zgjidhje e qenësishme, megjithëse ne nuk jemi i vetmi vend që vuajmë prej tij. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se ne nuk duhet ta luftojmë korrupsionin dhe se duhet të kërkojmë ndonjë favorizim në mënyrën se si BE-ja i vlerëson vendet e rajonit tonë.

Ekzistojnë disa instrumente që iu janë vënë në dispozicion vendeve kandidate, përkatësisht kriteret dhe standardet e acquis të BE-së në kapitujt 23 dhe 24 (Gjyqësori e të drejtat bazike dhe drejtësia, liria dhe siguria, etj). Ne e kemi parë se si qasja e re e BE-së në rastin e Kroacisë po jep akoma dhe më shumë fryte edhe për vendet e tjera, si p.sh për Malin e Zi, i cili tani po e ndien presionin. E njëjta gjë është e vërtetë edhe për Shqipërinë. Ne po punojmë fort, të ndihmuar dhe nga ekspertiza e siguruar nga Komisioni Evropian, dhe lufta kundër korrupsionit është një nga pesë kriteret kyçe për hapjen e negociatave për anëtarësim. Është e vërtetë që ky problem është ende i pranishëm, por është gjithashtu e vërtetë që progres raporti e njeh vendosmërinë politike të qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Historia e një punonjësi të Bankës së Shqipërisë, i cili vodhi para nga kasaforta e saj, ka qenë burim çudie dhe argëtimi. A mendoni se nevojitet një ndryshim rrënjësor në mentalitet? Nëse po, si arrihet ky qëllim?

Kjo është një situatë shumë delikate, por është jetike që të punohet në tri fronte: së pari, duhet siguruar një historik i shëndoshë dënimesh për korrupsionin; së dyti, duhet punuar për të siguruar masa dhe mekanizma parandalues; së treti, nevojitet një ndarje e qartë mes pushteteve ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore. Njerëzit janë të velur, me të drejtë, nga korrupsioni dhe keqpërdorimi i pushtetit dhe duan të shohin që fajtorët përfundojnë pas hekurave, por në të njëjtën kohë ne duhet t’iu sigurojmë këtyre të fundit një proces të drejtë ligjor. Sa i përket episodit të cilit ju i referoheni, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është larguar nga kjo detyrë dhe po përballet me drejtësinë. Siç e kemi parë dhe në Kroaci, shembulli më i mirë i rajonit tonë, edhe politikanët më në zë e gjeneralët e ushtrisë mund të vihen përpara drejtësisë.

SERBIA

Cili është interpretimi juaj për ngjarjet që ndodhën në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri?

Për këtë çështje ekzistojnë një sërë interpretimesh. Unë do të filloj me interpretimin më cinik: falë kësaj çështjeje UEFA fitoi 200 000 Euro duke i gjobitur të dyja skuadrat. Por ekziston edhe një shpjegim tjetër, i cili na mëson se paqja dhe stabiliteti në rajonin tonë nuk duhen marrë për të mirëqena. Është e vërtetë se Bosnja është në paqe, por duket se poshtë sipërfaqes historia a afërt është ende e freskët dhe ne duhet ta ushqejmë paqen aktuale nëpërmjet projekteve konkrete. Ne duhet të punojmë për të pasur një narrativë të re, e cila duhet të jetë e lidhur me zhvillimin ekonomik të rajonit. Për ne vazhdon të jetë më e lehtë që të shkojmë nga Tirana në Vjenë ose Stamboll se sa në Shkup ose Beograd. Unë besoj se ky është një tjetër tregues i nevojës për normalizim të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Ne duhet ta përdorim procesin e anëtarësimit në BE si një emërues të përbashkët për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull. Sigurisht që ekzistojnë disa ndryshime (ne jemi vend anëtar i NATO-s ndërsa Serbia mohon çdo lloj lidhjeje formale me të; ne jemi pjesë e projektit TAP ndërsa Serbia jo; ne jemi anëtarë të nismave mesdhetare ndërsa Serbia nuk është), por nga ana tjetër vendet tona kanë shumë ngjashmëri: Serbia dhe Shqipëria janë që të dyja vende kandidate për në BE, e për këtë arsye ne e shohim normalizimin e marrëdhënieve si element kyç për konsolidimin e stabilitetit demokratik në rajon dhe për avancimin e përbashkët në proceset integruese.

Cila është masa më e rëndësishme për t’u ndërmarrë nga qeveria Vucic, e cila sipas jush do të ndihmonte në normalizimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë?

Së pari, unë pres që vizita e së hënës të jetë një vizitë normale. Kjo do të jetë hera e parë në histori që kryeministrat e dy vendeve tanë takohen, e për këtë arsye ne e mirëpresim një zhvillim të tillë. Në rajonin tonë ka një kontekst të ri gjeopolitik: ne jemi të vendosur të hapim një kapitull të ri marrëdhëniesh me Serbinë dhe të punojmë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të lëna pezull. Ndaj unë pres një vizitë normale të shoqëruar nga i njëjti sens realizmi nga ana e Serbisë. Unë e ndoqa fjalën e z. Vucic këtu në LSE dhe shpresoj që ai të jetë aq modest sa ç’u duk këtu.

Pas ngjarjeve në Serbi u duk qartë një rritje e nacionalizmit nga të dyja palët. Kjo ishte shumë e dukshme në mediat sociale. Çfarë po bën qeveria juaj për t’i fashitur këto lloj ndjenjash në Shqipëri?

Së pari më lejoni të bëj një sqarim të vogël në lidhje me ndjenjat nacionaliste. Ne të gjithë e njohim mirë historinë e rajonit tonë. Besoj se është shumë e rëndësishme të bëhet një dallim i qartë mes qytetarëve të zakonshëm dhe zyrtarëve të lartë. Nuk ekziston asnjë deklaratë e ndonjë zyrtari shqiptar kundër Serbisë, pra që dënon kombin serb. Fatkeqësisht, nëse referohemi deklaratave të Presidentit serb, shohim se ai ia hedh fajin kombit dhe shtetit shqiptar. Gjithsesi, ne duhet të ecim përpara dhe të punojmë për projekte të interesit të përbashkët. Një hap i rëndësishëm përpara do të ishte nënshkrimi i marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe ngritja e një qendre rinore për marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë – propozim i diskutuar gjerësisht gjatë konferencës së Berlinit në muajin gusht. Me një fjalë, nevojitet hapja e perspektivave për gjeneratat e reja dhe shmangia e varësisë ndaj Brukselit si i vetmi vend ku merren vendimet.

KOSOVA

Marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë: a janë mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive një prelud për një bashkim të mundshëm politik?

Statistikat dëshmojnë se ekzistojnë më shumë marrëdhënie tregtare mes Serbisë dhe Kosovës së sa mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ata që ende mendojnë për Shqipërinë e madhe jetojnë në një tjetër botë nga realiteti i sotshëm. Ne kemi nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik me Kosovën këtë vit, në të cilën ekzistojnë dispozita të qarta sa i përket kufijve të të dy vendeve. Projekti ynë madhor është anëtarësimi në BE. E njëjta gjë vlen dhe për Kosovën.

BASHKIMI EVROPIAN

Duke marrë në konsideratë krizën me të cilën BE-ja përballet prej disa vitesh tashmë, cila është arsyeja që Shqipëria vazhdon të mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit dhe punon fort për të arritur këtë qëllim?

Besoj se në rastin e Ballkanit, ku mungojnë tradita të konsoliduar demokratike sa i përket shtet-ndërtimit, procesi i anëtarësimit në BE shihet nga këndvështrimi i agjendës transformuese, një agjendë që shkon në drejtim të demokratizimit. Me pak fjalë, anëtarësimi në BE është një shtysë për përmirësimin e kredencialeve demokratike të vendit. Për ne nuk ekziston tjetër alternativë përveç anëtarësimit në BE dhe unë besoj se kjo vlen për të gjitha vendet e rajonit. Ju nuk do të gjeni asnjë vend në Ballkanin Perëndimor që nuk përpiqet t’i bashkohet BE-së, pavarësisht vështirësive dhe faktit se procesi është më i ashpër se sa ka qenë për Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë. Kjo e vërtetë përkthehet edhe në terma ekonomikë. Le të jemi të sinqertë: ne e shohim këtë proces edhe si një instrument zhvillimi ekonomik dhe shoqëror. Ne jemi të vetëdijshëm që rajoni ynë nuk i arrin nivelet e mesatares evropiane dhe besojmë se transformimi nuk mund të arrihet pa mbështetjen ekonomike të BE-së. Ekziston një paradoks: BE-ja është shumë më popullore në vendet aspirantë se sa në vendet anëtare, në pjesën lindore se sa në pjesën perëndimore, dhe këtë e konfirmojnë statistikat e Gallupit.

Cili është mendimi juaj për Komisionin Evropian të formuar rishtazi? Si i shihni personazhet e reja të Brukselit, duke qenë se ju do të punoni me ta?

Në këndvështrimin tonë, kemi të bëjmë me një grup më politik komisionerësh se sa ai paraardhës. Dokumentet e deritanishme zyrtare të Juncker-it dëshmojnë se do të ketë më shumë ndërveprim dhe ndërlidhje mes komisionerëve. Për shembull, Federica Mogherini do të drejtojë politikën e jashtme të Brukselit, por ajo do të jetë gjithashtu përgjegjëse për zgjerimin, sa i përket aspekteve të tij politike. Ne duam ta shohim këtë si një shenjë të një kohezioni më të madh ndërmjet Komisionit dhe vendeve anëtare sa i përket marrëdhënieve me shtetet e huaja dhe me vendet që aspirojnë anëtarësimin në BE. Federica Mogherini vjen nga Italia, një vend me peshë në Mesdhe dhe avokat i palodhur i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE. Gjithashtu, unë shpresoj dhe besoj se komisioneri Johannes Hahn do të konsolidojë projektet që kanë të bëjnë me ndërlidhjen, të nisura nga Komisioneri Štefan Füle, dhe me strategjitë makro rajonale, pasi ne kemi punuar me të në makro rajonin Adriatiko-Jonian. Frans Timmermans është një personalitet i rëndësishëm, një nga Ministrat e Jashtëm më të spikatur që është ulur ndonjëherë në tavolinën e NATO-s. Unë e kam njohur në të shkuarën, ai është njeri me shumë eksperiencë, një aktor i talentuar i politikës së jashtme dhe do të ketë një portofol mjaft të rëndësishëm. Por nuk duhet të harrojmë se ky Komision punon nën supozimin se gjatë pesë viteve të ardhshme nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm. Pra, një një farë mënyre, ky komision do të ketë limitet e veta në lidhje me procesin e zgjerimit, i cili është procesi më i rëndësishëm në sytë e Shqipërisë.

NATO

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. A jeni të kënaqur me përfundimet e Samitit të fundit të NATO-s në Uells? Çfarë kërkon Shqipëria?

Duhet të jemi realistë: Shqipëria është një vend i vogël, megjithëse ajo është aktualisht i vetmi vend anëtar i NATO-s në Ballkanin Perëndimor. Interesi ynë parësor është ruajtja e politikës së dyerve të hapura. Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnja kanë aplikuar për anëtarësim në NATO dhe ne gëzohemi teksa shohim se Mali i Zi është tashmë drejt rrugës së anëtarësimit. Nga ana tjetër, dihet mirë se procesi i anëtarësimit për Maqedoninë dhe Bosnjën ose ka stagnuar, ose nuk ka bërë shumë përpara. Sa i përket kërcënimeve me të cilat Evropa përballet në Lindje, kriza në Ukrainë ka krijuar linja ndarëse në Ballkan. Ne jemi një nga shumë pak vendet që i janë bashkuar tërësisht linjës së politikës së jashtme të BE-së, ndërkohë që ka vende që qartazi nuk e kanë bërë këtë. Anëtarësimi në NATO duhet të shihet nga këndvështrimi gjeopolitik. Gjeografikisht, nga Stambolli në Lisbonë, ekzistojnë ende boshllëqe sigurie, të cilat duhen adresuar dhe angazhimi me vendet e rajonit është një domosdoshmëri. Edhe rasti i Gjeorgjisë flet qartë: ekzistonte një premtim, por tani duket sikur nuk ka shumë vullnet për t’i dhënë anëtarësimin Gjeorgjisë.

Në çfarë mase perspektiva e përfshirjes së lojtarëve të mëdhenj në rajon përbën një kërcënim për ju dhe në çfarë mase përbën ajo një mundësi? Si e shihni numrin në rritje të aktorëve të mëdhenj të përfshirë në rajon? Rusia, Kina, Turqia.

Është e vërtetë se në rajonin tonë ka shumë aktorë. Sigurisht Rusia, por edhe Turqia është e pranishme, si politikisht, ashtu dhe ekonomikisht. Nisma kineze për bashkëpunim me rajonin duket e mirëstrukturuar dhe, në këndvështrimin tim, ajo nuk perceptohet si kërcënim për vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, por ajo duhet gërshetuar me aspiratat e këtyre vendeve për anëtarësim në BE. Ka gjithashtu një prani në rritje të vendeve të Gjirit Persik, e cila për momentin duket të jetë tërësisht me karakter ekonomik. Në disa raste këta aktorë janë më fleksibël dhe efikas, pasi ata kanë një strukturë vertikale më kohezive se sa ajo e BE-së dhe nuk janë të udhëhequra nga parimi i konsensusit.

“GJUHË E DYFISHTË”

Intelektuali shqiptar Fatos Lubonja ka qenë së fundmi i ftuar në LSEE. Ndërsa e vlerësoi qeverinë Rama për qasjen e saj më mendjehapur dhe për faktin se është më afër “vlerave evropiane”, Lubonja na tha se “ekziston gjithmonë një kontradiktë mes fasadës demokratike dhe punës reale të institucioneve të vendit, të cilat shpesh janë të kapura nga krimi i organizuar. Kjo ka krijuar një gjuhë të dyfishtë mes politikanëve shqiptarë: Një gjuhë për ndërkombëtarët, që flet për Evropën, dhe një tjetër gjuhë për brenda vendit, një përzierje retorikash nacionaliste dhe, padyshim, lutërash për pushtet”. Si i përgjigjeni kësaj?

E kam shumë të vështirë të komentoj Fatos Lubonjën. Unë e vlerësoj pa masë kontributin e tij në shoqëri, por, me respekt, nuk pajtohem me këtë qëndrim. Ne jetojmë në një botë të digjitalizuar, çka e bën shumë të vështirë krijimin e kësaj shoqërie me “gjuhë të dyfishtë”. Dhënia e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë nuk erdhi për shkak të bujarisë së Evropës, por për shkak të procesit të reformave që ka ndërmarrë vendi. Po, unë mendoj që nevojitet më shumë komunikim me publikun shqiptar sa i takon vlerave evropiane, por unë nuk shoh që vendi të ketë dy agjenda.