Home LAJME Partitë taktizojnë rreth kandidatëve për president, PDSH mund të mos merr pjesë

Partitë vazhdojnë të taktizojnë rreth kandidatëve për zgjedhjet presidenciale. Ende nuk ka asnjë marrëveshje mes partive qeveritare VMRO DPMNE dhe BDI rreth kandidatit konsensual. Sipas BDI-së vazhdojnë bisedimet me VMRO-në, por deri tani nuk ka pasur përgjigje zyrtare. Nga partia e Gruevskit thonë se nuk ka filluar procedura e brendshme për caktimin e kandidatit presidencial.

“Zgjedhjet presidenciale ende nuk janë caktuar. VMRO DPMNE-ja do të respektojë të gjitha afatet ligjore, të gjitha rregullat ligjore, dhe procedurat e brendshme për selektimin dhe propozimin e kandidatit për president. VMRO-ja nuk i ka filluar procedurat e saja”, tha Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

Taktizojnë edhe partitë opozitare. PDSH-ja jo vetëm që nuk ka caktuar kandidatin, por ende nuk ka marrë vendim nëse do të kenë kandidat në zgjedhjet presidenciale. Opozita nuk dëshiron 3 procese zgjedhore rishtazi në 3 vite. Lideri i opozitës shqiptare Menduh Thaçi në një intervistë për televizionin Neës 24 në Tiranë tha qartë se PDSH-ja nuk do të merr pjesë në zgjedhjet presidenciale, nëse zgjedhjet parlamentare mbahen në afatin e rregullt, në vitin 2015.

“Sa i përket zgjedhjeve presidenciale nuk kemi interes si parti për shkak se është një betejë e kotë, nuk fiton kandidat shqiptar. Kështu që njëherë për njëherë nuk kemi interes të marrim pjesë në këto zgjedhje”, ka deklaruar Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Në pyetjen direkte të moderatores nëse PDSH-ja nuk do të dalë me kandidat në zgjedhjet presidenciale, Thaçi u përgjigj:

“Nuk e besoj, nëse mbahen vetëm pa zgjedhjet parlamentare. Nëse bëhen bashkë atëherë situata mund të ndryshojë”.

Edhe LSDM-ja opozitare nuk ka shpallur kandidatin e saj. Nga partia e Zaevit thonë se po rrjedh procedura e vlerësimit të kandidatit më adekuat.

“Procedura po vijon. Kur të përfundojë procedura brenda-partiake do të ju njoftojmë për kandidatin e zgjedhur”, u shpreh Petre Shilegov, LSDM.

Kandidatura e vetme zyrtare deri më tani është ajo e kryetarit të partisë së branitellave “Dinjiteti”, Stojançe Angellov. Benjamin Arifi