Home LAJME Partitë ekzistuese politike i frikësohen Lëvizjeve të reja

Lajmi se në skenën politike në Maqedoni është gati edhe një subjekt i ri politik ka mobilizuar partitë ekzistuese politike si në kohën e fushatave parazgjedhore. Gati çdo ditë kemi ndonjë prononcim të liderëve partiak apo ndonjë deputeti se për momentin nuk ka nevojë për subjekt të ri. Mirëpo, këtë qëndrim ata nuk e kanë argumentuar. Ashtu siç veprojnë zakonisht, partitë ekzistuese në mungesë të vizionit të qartë në programet e tyre politike, akuzojnë subjektet e reja dhe nuk merren me problemet reale të qytetarëve.

“Unë mendoj se është shumë e dëmshme që shqiptarët të kenë një parti politike në Maqedoni, sepse do të burokratizohen dhe kriminalizohen, kurse dy parti shqiptare në Maqedoni është shumë reale dhe produktive për shqiptarët e Maqedonisë, kurse 3 parti politike është e dëmshme për shqiptarët e Maqedonisë”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së”, ishte shprehur kreu i BDI-së, Ali Ahmeti në një emision televiziv.

Analistët reagimet e këtilla i vlerësojnë si mungesë e çlirimit të tyre nga logjika e njëmendësisë dhe frika nga konkurrenca politike.

Analisti Naser Pajaziti vlerëson se arsyetim i tyre i verbër nuk ka logjikë. “Është domosdoshmëri riformatimi i skenës shqiptare në Maqedoni apo një konkurrencë e shëndoshë. Subjektet e paralajmëruara politike duken ambicioze, por e dinë se beteja është e vështirë përballë një skene të betonuar dualiste që kontrollohet nga dy partitë tradicionale. Unë mendoj se vetëm një bllok politik i unifikuar nga partitë e reja apo të vogla, qoftë edhe ato që kanë ngelur si logo apo parti lider, mund të jenë një alternativë e tretë dhe që do mund të hyjë në betejën e konkurrencës, përndryshe nuk shoh ndonjë rezultat optimist” ka theksuar për “Lajm” Pajaziti.

Sipas Ramadan Ramadanit problemi i partive ekzistuese qëndron në dëshminë se a janë në të vërtetë parti politike, duke parë nivelin e lartë ekzistues të tyre për mos bërje politike fare. “Kush mban mend kohë të gjatë ndonjë iniciativë politike apo ligj i propozuar prej tyre?! Pasi ata vet janë shndërruar në përçues të politikave të Gruevskit ose të atyre të bëra në marrëveshje me të”, është shprehur për “Lajm” Ramadani.

Afrim Gashi, njëri prej nismëtarëve për themelimin e Lëvizjes “Besa” konsideron se subjektet aktuale shqiptare nuk përfaqësojnë asnjë opsion real politik për shqiptarët në Maqedoni.

“Ne si iniciues të subjektit të ri politik “BESA” nuk do të kishim nevojë të merremi me politikë po që se subjektet shqiptare do të merreshin vesh që t’i artikulojnë interesat themelore të shqiptarëve e jo të bëhen bashkë për t’i luftuar subjektet e tjera shqiptare. Kur ndodhi rrahja mes deputetëve shqiptarëve në Kuvend pata deklaruar se vërtet shqiptarëve u duhen dy parti, por jo këto dyja. Nëse analizohet më mirë deklarata për opsionin e tretë te shqiptarët, mendoj se për momentin shqiptarët nuk kanë asnjë opsion politik, natyrisht nëse nuk e marrim parasysh opsionin e vardisjes ndaj VMRO-DPMNE-së, ku të dyja këto subjekte garojnë mes vete vetëm se cili prej tyre është më afër VMRO-së,” ka deklaruar për “Lajm” Gashi.