Home LAJME Parlamenti shqiptar shkarkoi Guvernatorin Ardian Fullani

Parlamenti i Shqipërisë shkarkoi sot nga detyra Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullanin, pas skandalit të vjedhjes së mbi 7 milionë dollarëve nga Thesari i Shtetit.

Pro shkarkimit të Fullanit dhe Inspektores së Përgjithshme, Elivar Golemi votuan 72 deputetë, ndërsa 6 ishin kundër, prej të cilave 5 nga deputetë të majtë dhe 1 e PDIU-së.

Baza ligjore e shkarkimit të dy zyrtarëve ishte “Për shkelje të etikës në punë dhe cënim të thellë të interesave të Bankës së Shqipërisë”.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Erion Braçe i kërkoi sot Kuvendit shkarkimin e Guvernatorit Ardian Fullanit dhe Inspektores së Përgjithshme Elivar Golemit nga BSH. Sipas Braçes, Komisioni i Ekonomisë ka votuar unanimisht për shkarkimin e Fullanit dhe Golemit.

Ish-guvernatori Fullani ndodhet tashmë në masë arrest shtëpie pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë ndërsa kryeinspektorja Golemi mori masën arrest me burg.

Fullani dhe Golemi akuzohen për shpërdorim detyre. Dy ditë më parë grupi parlamentar socialist vendosi unanimisht të votojë shkarkimin e dy zyrtarëve të lartë të BSH-së. Burimet nga mbledhja e grupit bënë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se ky është vendim politik dhe se nuk do të tolerohet asnjë votim ndryshe. Në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar socialiste, ishte nënkryetari, Erjon Braçe që me anë të një postimi në rrjetin social të “Facebook”- ut, bëri të ditur se “të enjten në Kuvend, i shkarkojmë të dy; guvernatorin e Bankës së Shqipërisë dhe inspektorin e përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë!