Home LAJME Papa was in Albania

Fakti që vizita e parë në Evropë e kreut të Vatikanit ishte mu në Shqipëri e bën këtë vizitë historike. Potencimi nga Vatikani dhe bota se kjo është edhe vizitë e parë në një shtet me shumicë myslimane njashtu e bën këtë vizitë historike, por edhe të rëndësishme edhe për shqiptarët në nivel global. Këtë rëndësi nuk mund ta zhbëjë as deliriumi dhe lakmia e miqve e as injorimi, dashakeqësia dhe zilia e disa armiqve. Si çdo vizitë historike medoemos që kishte porosinë e vet që u dërgua me këtë rast. Shqiptarët arritën që të rikonfirmojnë mikpritjen e tyre dhe bashkëjetesën e tyre si një komb me shumë fe.

Kjo vizitë duket se do ketë rëndësi të veçantë për kishën katolike të Shqipërisë, por është edhe një lloj mirënjohje për krejt protezhimin që i është bërë kësaj pjese të kombit nga ana e shumë elitave politike dhe kulturore ndër shqiptarë. Protezhim deri në servilizëm që duket se kulmoi me njoftimin e njërit nga nikoqirët e vizitës së sotme kryeministrit Edi Rama që zgjodhi këtë vizitë për të publikuar se në fakt ka qenë i pagëzuar si katolik ndonëse kishte rrënjë ortodokse dhe përkatësi të qartë ateiste dhe sekulare që simbolikisht e dëshmoi me krahasimin e Papës me një yll roku. Gjë që flet se ajo që din për institucionin katolik Papë është vetëm nga gurra e modernizmit si fjalë që kalon në këngën rok: Papa was a rollin’ stone.

Porosia tjetër e çartur që u dërgua nga nikoqirët ishte disproporcionaliteti në kujdesin për sekularitetin në dobi vetëm të katolikëve kurse jo në rastin e feve ose kishave tjera. Disproporcionalitet ky edhe më i thellë që shembullohet më së miri në mosdijen e njërit prej nikoqirëve, presidentit të Shqipërisë, të emrit të fesë islame kur atë e emërtoi si “muhamedanizëm synit”. Kjo vizitë për shqiptarët duhet të jetë inicues që ky disbalans të zhduket në të ardhmen pasi në këtë nivel të thellë kur njërit ia njeh krejt shenjtëritë e tjetrit as emrin nuk ja din si duhet nuk sjell gjë të mirë për në të ardhmen. As për shtetin, as për kombin e as për bashkëjetesën e qytetarëve nga fe të ndryshme. Për zhdukjen e këtij disabalansi duhet të kujdesen më shumë vet edhe komuniteti shumicë; myslimanët. Ashtu që herën tjetër kur vëllezër të tyre për nga feja, qofshin ato arabë apo turq predikojnë për lidhje historike e kulturore t’u përkujtojnë se ja në këtë vend të varfër dhe të vogël erdhi Papa vet, e çka ato do sjellin për të potencuar këto lidhje që vazhdimisht i përmendin?

Një tjetër porosi që dallonte mes Vatikanit që vazhdimisht ishte kujdesur të potencojë se Papa kishte ardhur në Shqipëri dhe e shqiptarëve që donin ta dinin se ai kishte ardhur për gjithë shqiptarët ishte mospërmendja e Kosovës, e ku më të vendeve tjera si Maqedoni ose Mal i Zi. Gjë që vetëm në letrën funksionale të dërguar nga “Vetëvendosja” ishte potencuar qartë si një borxh që kishte miku nga Vatikani; njohjen e këtij shteti. Fundja Papa tha se ka ardhë në një vend të përvuajtur dhe me martirë e edhe ndarja e një kombi është vuajtje, kurse ne shumë martirë kemi dhënë mu për atë Kosovë. Ndoshta Kosova është borxh i rëndë edhe për një mik aq i madh si Vatikani, por atëherë duhet në këmbim vazhdimisht të ndihmojë shumë për avancimin e Shqipërisë në rrugën e BE-së.

Kurse porosia më relevante që u përçua nga Vatikani në këtë vizitë ishte për të kaluarën anti-fetare nga ideologjitë ateiste. Përkujtim ky i dobishëm për një vend ku në prapaskenë ende në sfond duket portreti i Enver Hoxhës kurse intervistë si VIP-e jep ende gruaja dhe bashkëluftëtarja e tij?! Por e rëndësishme edhe si komb në përgjithësi ku në vende të ndryshme si në Kosovë e Maqedoni pushtetin e mbajnë ende shumë enveristë dhe maoistë.

“Papa was in Albania” pra e ka kuptimin: Papa ishte në Shqipëri, urojmë që kjo gjë ndër shqiptarët të mos shtojë mëri./Almakos