Home LIFESTYLE Obama nxit Iranin për nënshkrimin e marrëveshjes historike

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, i është drejtuar popullit të Iranit në një video-mesazh duke thënë se, një marrëveshje për të transformuar marrëdhëniet midis dy vendeve është e mundshme që të arrihet. “Ne kemi mundësinë më të mirë në dekada për të ndryshuar të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve tona”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Gjashtë fuqitë botërore po negociojnë për arritjen e një marrëveshjeje që synon kufizimin e aktivitetit bërthamor të Iranit. Presidenti amerikan pranoi se ka ende pika ku palët kanë qëndrime të ndryshme, por negociatat janë shpresëdhënëse.

“Ky moment nuk mund të përsëritet sërish në një afat të shkurtër kohor. Unë mendoj se vendet tona kanë një mundësi historike për ta zgjidhur këtë çështje në paqe. Një mundësi që ne nuk duhet ta humbasim”, tha Obama, ndërsa shtoi që, në rast se udhëheqësit e Iranit do të bien dakord për një marrëveshje, atëherë vendi do të jetë në rrugën e prosperitetit. Në rast të kundërt, Obama tha se pritet izolimi i Iranit.

Pavarësisht dëshirës së Presidentit amerikan për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, duket se ai ka ende punë për të bindur Kongresin, pasi shumë ligjvënës janë kundër lehtësimit të sanksioneve për Iranin. Më parë gjatë këtij muaji, 47 senatorë republikanë paralajmëruan udhëheqësit e Iranit se çdo marrëveshje mbi programin bërthamor të Teheranit do të revokohej pas largimit nga detyra të Presidentit Obama. Ky veprim u dënua nga Shtëpia e Bardhë si një përpjekje për të minuar politikën e jashtme të Presidentit.

Të enjten, 360 anëtarë të Kongresit i dërguan një letër Obamës, duke i kujtuar atij se heqja e sanksioneve të përhershme të Shteteve të Bashkuara ndaj Iranit do të kërkojë legjislacion të ri nga Kongresi.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry dhe ministri i Jashtëm i Iranit u takuan të enjten për të katërtën ditë radhazi në Zvicër. Gjashtë fuqitë e mëdha; SHBA, Kina, Rusia, Britania, Gjermania dhe Franca mbështesin arritjen e një marrëveshjeje me Iranin më 31 mars.