Home LAJME Nxehet Mimoza: Me të mirë e me të keq do t’i ruajmë...

Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës Mimoza Kusari-Lila ka takuar të mërkurën në mbrëmje banorët e bashkësisë së parë lokale të Gjakovës, para të cilëve ka shpalosur programin e vizionin e saj për 4 vjetët e ardhshme, ndërsa i ka ftuar që të votojnë me 3 nëntor, me premtimin se secila votë e tyre do të ruhet në mënyrë maksimale.

“Më 3 nëntor fituesi që ju do ta përcaktoni do të jetë fituesi ose fituesja që do ta udhëheqë komunën e Gjakovës. Ne do ta ruajmë këtë fitore, do t’i ruajmë votat tona si të duan, ose me të mirë ose me të keq, jemi gati, por Gjakova do ta ketë ndryshimin pas datës 3 nëntor”, është shprehur e bindur Kusari-Lila.

Kusari-Lila është treguar mjaft e ashpër me qeverisjen aktuale lokale, qeversje për të cilën ka thënë se duhet të largohet nga menaxhimi i Gjakovës një herë e mirë.

“Ne kemi rrëzuar regjime dhe diktatura edhe më të rënda. Këta që janë sot në pushtet s’janë kërkushi. Këta duhet që sa më shpejtë të kthehen mbrapsht nga kanë ardhë, këta janë shumë të vegjël e shumë të pashpresë. Këta janë injorantë pa vizion e pa dashuri për komunën e Gjakovës”, ka thënë Kusari-Lila. /Zëri