Home LIFESTYLE Një plazh për të huajt, në bregdetin e Dhërmiut…!

Pasditen e vonë të të premtes, në një nga plazhet e vegjël me fluks paksa të rralluar pushuesish, krahasuar me paraditen, në bregdetin e Dhërmiut, pranë rezidencës qeveritare, binin në sy 2 çifte të rinjsh dhe një grua rreth të 60-ve, pranë tyre. Për shkak të gjuhës dhe ndonjë elementi tjetër, kuptohej menjëherë që ishin të huaj. Vinin nga Marseja (Francë) dhe mbërritën në këtë plazh rreth mesditës. “Do të qëndrojmë pak orë dhe do të zhvendosemi më në jug, ku na kanë thënë se ka plazhe të tjera të shumta”, thotë njeera prej vajzave, në një moment kur na kërkoi për ta ndihmuar me një send.

Kishin ardhur në Shqipëri përmes Durrësit rreth 4 ditë më parë dhe do të qëndronin edhe 5 apo 6 ditë të tjera, duke sheetitur bregdetin. Kishin qenë një ditë edhe në Vlorë dhe do të përfundonin në Sarandë. “Keni bregdet shumë të mirë, komplimente”, thotë vajza teksa falenderon për ndihmën dhe bashkohet me grupin në dy çadrat që kanë marrë, vetëm 1 metër larg nesh. Në fakt, grupi i turistëve francezë nuk ishte i vetmi, në këtë plazh të vogël dhe të qetë. Deri rreth orës 14.00, dallohej prania e një grupi prej 10-12 amerikanësh, të gjithë të rinj dhe të reja.

Tërhiqnin vëmendjen e të tjerëve për shkak të gjallërisë dhe të kënaqësisë që shprehnin hapur, teksa ndiqnin njëri-tjetrin në ujin e pastër të detit ku qëndronin gjatë. Ishin klientë në një prej komplekseve të vogla turistike, aty pranë. Ndërkohë, një grup prej tre të rinjsh italianë, dy prej të cilëve vajza, ishin larguar pak më herët nga plazhi, për të konsumuar drekën sipër në lokal dhe për t’u rikthyer sërish ndoshta në pasditen e vonë. Ky plazh i vogël i Dhërmiut, ngjasonte të premten me një copëz të vogël toke me qytetarë pushues nga e gjithë bota(!!!!!) Në të dëgjoje gjuhë të ndryshme, ashtu sikundër mund të perceptoje edhe kultura të ndryshme në mënyrën e të pushuarit.

Amerikanë, francezë, italianë, polakë, gjermanë, kroatë, maqedonas, rusë, shqiptarë, të gjithë bashkë në një plazh prej disa qindra metra katrorë. Pavlloja, administrator i një kompleksi turistik aty pranë, thotë se, gjatë këtyre ditëve ka patur klientë mjaft të huaj, nga Italia, Gjermania, Franca etj. “Karakteristikë për sezonin e sivjetëm është ardhja e shumë turistëve të huaj nga vende të ndryshme, madje edhe nga vende të tilla si Danimarka, Austria etj, që nuk kanë qenë të pranishëm më parë”, thotë ai. Kjo reflektohet edhe në përqindjen që zenë shtetasit e huaj që vijnë me tragetin që përshkon linjën detare Brindisi- Vlorë. Sipas burimeve zyrtare nga pika kufitare e këtij porti, qytetarët e huaj përbëjnë mesatarisht rreth 30-35 për qind të totalit të fluksit të udhëtarëve që hyjnë në Vlorë.