Home LIFESTYLE Një peshk prishi planet e Panuccitt

Vazhdimësia e suksesit dhe arritja e objektivave është një miks mes punës, vendosmërisë, por ndonjëherë duhet edhe shumë fat. Sidomos kur bëhet fjalë për futboll, ky i fundit ka shumë rëndësi. Por, në momentin kur me punë dhe me talentin e tij duket se po gjente vazhdimësinë me ekipin kombëtar, fati “tradhtoi” Eros Grezdën. Mesfushori kuqezi pati një incident pak orë përpara ndeshjes me Maqedoninë, pasi pësoi një helmim nga ushqimi dhe e kishte të pamundur aktivizimin. Pavarësisht se trajneri Panucci vendosi ta merrte në bankë, lojtari nuk ishte i gatshëm për të luajtur.

“Panorama Sport” e raportoi lajmin në momentin kur ai po bënte analizat me stafin mjekësor pranë hotelit “Gligorov” në orët e paradites dhe gjithçka u konfirmua në mbrëmje. Ndoshta duket e çuditshme, sepse helmimi nga ushqimi duhet të përfshinte një grup të madh lojtarësh, por vetëm organizmi i Grezdës reagoi keq dhe i shkaktoi probleme shëndetësore. Mësohet se skuadra ka konsumuar peshk në mbrëmje dhe lojtari ka ndier shqetësime disa orë pasi darkoi me ekipin. Kjo gjë e pengoi që Grezda të luante me Maqedoninë, pavarësisht se dëshira e tij ishte e madhe të zbriste në fushën e lojës.