Home LAJME Nga mesnata heshtje zgjedhore para rivotimit në Tearcë

kshz

Nga sonte në mesnatë deri të dielën deri në orën 19 është heshtje zgjedhore në vigjilje të përsëritjes së votimit të dielën në vendvotimin 2011 në Komunën e Tearcës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) mori vendim që të përsëritet votimi në vendvotimin 2011 në Komunën e Tearcës, në bazë të simulimit me të cilën u tregua se rivotimi mund të ndikojë në numrin e mandateve të fituara.

Agjencia për shërbime audio dhe audiovizuale sot i njoftoi radiodifuzerët se në bazë të Vendimit nga KSHZ-ja për përsëritje të votimit në vendvotimin nr. 2011, në Komunën e Tearcës nga sonte në mesnatë, përfshirë orën 19, më 25 dhjetor, vlejnë rregullat për heshtje zgjedhore.

Gjatë heshtjes zgjedhore, ndërpriten të gjitha format e prezantimit zgjedhor medial të pjesëmarrësve në fushatën zgjedhore.

Sipas Kodit Zgjedhor, për shkelje të heshtjes zgjedhore konsiderohet transmetimi  i: çfarëdo lloj informate, fotografi, materiale audio dhe audiovizuale të lidhura me ose në të cilat marrin pjesë pjesëmarrës në zgjedhje; çfarëdo lloj formash të raportimit medial të cilat në mënyrë të hapur ose të fshehur janë në funksion të ndonjë fushate dhe mund të ndikojnë ndaj vendimit të zgjedhësve; të dhëna me të cilat fshihet identiteti i subjekteve politike dhe/ose individëve të përfshirë në incidente ose parregullsi në ditën e votimit; si dhe deklarata nga kandidatë në procesin zgjedhor, nga përfaqësues të partive politike dhe nga bartës të funksioneve në organet e pushtetit.

Në vendvotimin 2011 në Tearcë në Listën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 714 votues. Më 11 dhjetor në votim kanë dalë 404 prej të cilëve 91 kanë votuar për VMRO-DPMNE-në, 87 për LSDM-në, 65 për Besën, 64 për PDSH-në, 53 për BDI-në, 25 për Aleancën për Shqiptarët dhe nga një për VMRO për Maqedoninë dhe për Koalicionin për ndryshime dhe drejtësi – Blloku i tretë.

Në Njësinë zgjedhore 6 sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së, më shumë vota 40.599 fitoi BDI-ja, pastaj pason VMRO-DPMNE-ja me 26.135, LSDM-ja me 25.828, Besa me 25.054, Aleanca për Shqiptarët 17.970, PDSH-ja 16.225, VMRO për Maqedoninë 919 dhe Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi – Blloku i tretë 239.

Sipas votave të fituara, më shumë deputetë, gjegjësisht 6 fitoi BDI-ja, VMRO-DPMNE-ja 4, Besa 3, LSDM-ja 3, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH-ja 2.

Rivotimi vjen si rezultat i pranimit të padisë së LSDM-së nga ana e Gjykatës Administrative të Republikës së Maqedonisë për shfuqizim të votimit në vendvotimin 2011 në Tearcë dhe padisë së VMRO-DPMNE-së kundër vendimit të KSHZ-së që të shfuqizohet votimi në vendvotimin 0396/1 në Gostivar.