Home LIFESTYLE Nga java e ardhshme përgadituni për ndryshime drastike të motit

Sinoptikanët paralajmërojnë nga dita e hënë javë të nxehtë dhe temperatura që do të arrijnë deri më 38 gradë celsius të martën dhe mërkurën. Qytetarët e anketuar nga TVM2 veç më kanë filluar të bëjnë plane se si të mbrohen nga i nxehti i madh.
“Unë veç hy në podrum dhe aty pushoj, flejë dhe fare nuk dal jashtë derisa është nxehti i madh”,- tha një qytetar.
“Zakonisht qëndroj nën hije, nuk dal pa nevojë jashtë dhe vishem kryesisht me rroba me ngjyrë të bardhë”,– theksoi një qytetar.
“Planifikoj nga java e ardhshme të shkoj në shtëpinë pushimore, në mal që kam, veç atje temperaturat e mëdha janë përballueshme për mua”,– u shpreh një qytetar.
Mjekët thonë se gjatë kësaj periudhe të gjithë duhet t’u largohen ushqimeve të yndyrshme dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje. Më të kujdesshëm duhen të jenë prindërit e fëmijëve prej 0 deri më 3 vjeç, të moshuarit, të sëmurit kronikë, diabetikët, por dhe ata punojnë në ambiente të hapura, përkujtojnë mjekët.
“Qytetarët duhet të kenë kujdes më tepër edhe me ushqimin që konsumojnë, se ka ushqime që në këtë periudhë mund të bëjnë probleme gastrointestinale, që mund të vijë deri tek vjellja dhe diarreja, dhe mund të kenë humbje të lëngjeve. Viteve të kaluara kemi pasur gjithashtu shumë raste me dehidrimin e pacientëve, pandaj duhet bërë shumë kujdes”,– deklaroi mjekja, Sefijane Belçishta.
Gjithsesi, mos harroni se mbrojta më e mirë është që të mos dilet jashtë pa pasur nevojë, në periudhën prej orës 11 deri më 17 të pasdites.