Home LIFESTYLE Në Maqedoni helm, më lirë në Greqi dhe Kosovë

Një pjesë bukur e mirë e qytetarëve kur qëndrojnë në ndonjë vend tjetër, ose kur kërkojnë në internet, mbesin të befasuar kur shohin se më shumë u paguhet që një prodhim të caktuar ta blejnë jashtë shtetit se sa në dyqanet e këtushme. Madje, qytetarët kanë llogari që ta blejnë jashtë dhe të paguajnë për transportin që e sjellë këtu. Në butiqet e njohura në qendrat tregtare të Shkupit, shkruan gazeta KOHA, veshja firmato është më e shtrenjtë për 30 për qind krahasuar me veshjen e dyqaneve të brendeve të njëjtë në metropolet evropiane. Greqia, Kosova dhe Bullgaria, janë vetëm një pjesë e destinacioneve të qytetarëve të Maqedonisë për të blerë veshje firmato me çmime të arsyeshme. Tani më për në Greqi, përveç udhëtimeve individuale, organizohen edhe shkuarje speciale nga ana e agjencive të udhëtimeve. Selaniku është destinacion joshës jo vetëm për të rinjtë, por edhe për qytetarë të moshave të mesme që shkojnë nga qytete të ndryshme. Qendra e njohur tregtare “Kosmos” në Selanik, ka vite që është bërë magnet për të rinjtë nga Maqedonia, pasi aty mund të gjenden brendet më te njohura të veshjeve botërore më çmime shumë të arsyeshme se sa te ne. Madje, blerësit asgjë nuk i lihet rastit dhe shfrytëzohet sezoni i lirimit të çmimeve, sidomos në muajin prill, për të blerë veshjet dhe modelet e fundit të firmave botërore.

Ndërkaq, se në Maqedoni çmimet janë të kripura, këtë më së miri e vërteton edhe fakti se qytetarët gjithnjë e më shumë e përdorin Kosovën si destinacion edhe për blerjen e veshjeve më të thjeshta. Qendrat e shumta tregtare atje, por lehtësirat doganore, u mundësojnë shitësve kosovarë që të kenë çmime të arsyeshme. Për shembull, nëse një komplet me veshje elegante “Hugo Boss” në Shkup kushton prej 700 deri 800 euro, të njëjtën në Prishtinë me të gjitha zbritjet mund ta merrni për 250 euro.     Tregtarët e qendrave tregtare në Shkup nuk duan të flasin publikisht për dallimin në çmime, por vetëm arsyetohen se çmimet më të shtrenjta te ne i diktojnë shumë fajtorë. Ata potencojnë se çmimet në Maqedoni në asnjë rast nuk mund të jenë të njëjta me ato të shteteve të zhvilluara, më shumë për atë se jemi treg i vogël ku nuk ka shumë konkurrencë, si dhe për faktin se disa tregtarë kanë pozicion dominues në tregun edhe ashtu të vogël vendor. Ndërkohë, ekspertët ekonomik që moti kanë alarmuar se tregtarët vendor mbajnë marzha të larta, duke u munduar të bëjnë përfitim të madh përmes më pak shitjeve. Marzha kaq të mëdha, vërejnë ekspertët, ekonomikisht janë të pa arsyeshme. Edhe pse zyrtarisht tregtarët thonë se marzhat e tyre është rreth 10 për qind, jozyrtarisht ato arrijnë deri në 30 për qind, çka është më e shtrenjtë se nga të gjitha vendet e rajonit.